Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetar të Podujeves pa balotazh, me 53% të votave. Kundërkandidatët e tij, Ekrem Hyseni nga LDK ka marrë 39%, Isak Shabani nga PDK 6%, Baki Feta nga AAK 0.85% dhe Xhemajl Hasani nga NISMA 0.50%.

I ftuar në “Kallxo Përnime”, Shpejtim Bulliqi i LVV-së ka folur për rezultatet e zgjedhjeve në Podujevë, por dhe për zhvillimet për formimin e Qeverisë.


Për Bulliqin koalicioni më i qëndrueshëm për Qeverinë e ardhshme do të ishte me Lidhjen Demokratike të Kosovë (LDK).

“Unë besoj që kryeministri është duke u përpjekur për të bërë numrat për të bërë qeverinë e re. Unë besoj që Kosova do të ketë qeverinë e re. Unë mendoj që koalicioni me LDK kish qenë më i qëndrueshmi për këtë mandat. Nuk kam informacione të sakta nëse veç kanë fillu të paktën këto procese për negociata. Pranverën e ardhshme e kemi çështjen e presidentit dhe nëse do të bëhen dy subjekte bashkë që potencialisht mund ta tejkalojnë sfidën e presidentit pa ndonjë telashe mendoj që do të ishte koalicion i qëndrueshëm. Më shumë janë kamuflazhe këto gjëra, kush ka raporte të këqija me Amerikën”- tha ai.Duke folur për postin e presidentit të Kosovës, Bulliqi tha se ai mund të jetë një nga kompromiset që do të mund të bëhet.

“Unë besoj që kanë nisë negociatat por këto javët e fundit kanë qenë intensive për shkak të zgjedhjeve lokale. Besoj që në momentin që vjen koha do të jenë numrat. Nëse hymë në një koalicion ne duhet të bëjmë kompromise, dhe njëri nga kompromiset mund të jenë posti i presidentit. Kjo çështje nuk duhet të bëhet mollë sherri”- tha ai.

“Ne jemi të gatshëm me çdonjërin prej subjekteve politike. Përveç me PDK që me ata është thënë jo. Por me subjektet e tjera që janë të gatshme për të ndihmuar. Unë nuk e di dhe nuk mund të përgjigjem me korrektësi nuk e di në çfarë raporti është LVV me AAK. Sipas mendimit tim koalicion i qëndrueshëm do të ishte me LDK. Ne këtë momentum që jemi askujt nuk i konvenon të shkojmë në zgjedhje të reja e aq më pak disa partive opozitare”- deklaroi ai./Kallxo.com