LAJMI I FUNDIT:

Bujqësia, sektori që mund të përfitojë më se shumti nga MSA-ja

Bujqësia, sektori që mund të përfitojë më se shumti nga MSA-ja

Bujqësia është sektori që pritet të përfitojë gati më se shumti nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe BE-së.

Për prodhuesit tanë, qoftë në prodhime primare dhe produkte të përpunuara tashmë do të ketë treg më të madh, pasi do të kenë lehtësira doganore dhe tatimore për të dërguar prodhimet e tyre në Evropë. E në shumë sektorë të bujqësisë, si në pemë, perime, vezë, verëra Kosova ka treguar potencial gjithmonë në rritje, raporton lajmi.net.

Më poshtë gjeni pikat e MSA-së që flasin për raportet që do të kenë Kosova dhe BE-ja për bujqësinë dhe peshkatarinë:


Bujqësia dhe peshkataria

NENI 26

Përkufizimi

Ky Kapitull do të zbatohet për tregtinë e produkteve bujqësore dhe të peshkatarisë që e kanë origjinën në BE ose në Kosovë.

Termi “produkte bujqësore dhe të peshkatarisë” u referohet produkteve të listuara në Kapitujt 1 deri 24 të Nomenklaturës së Kombinuar, si dhe produkteve të renditura në Shtojcën I, paragrafin I, piken (ii) të Marrëveshjes për Bujqësi të OBT-së.

Ky përkufizim përfshin produktet e peshkut dhe të peshkatarisë të mbuluara në Kapitullin 3, krerët 1604 (Peshk i përgatitur ose i konservuar, havjar dhe zëvendësues të havjarit të përgatitur nga vezët e peshkut) dhe 1605 (Krustacet, molusqet dhe pa-kurrizorë të tjerë ujorë, të përgatitur apo të konservuar (me përjashtim të tymosur)), dhe nën-krerët 0511 91(mbetje peshku), 2301 20 (Miellrat, ushqimet dhe sferat prej peshku ose krustaceve, molusqeve apo pa-kurrizorëve tjerë ujorë, të papërshtatshëm për konsum njerëzor) përveç 1902 10 (”pasta të mbushura që përmbajnë peshk, krustace, molusqe apo pa-kurrizorë tjerë ujorë më shumë se 20% të peshës”).

Kjo gjithashtu përfshin nën-krerët 1212 21 00 (alga deti dhe alga tjera), me përjashtim të nën-kreut 1603 00 (Ekstraktet dhe lëngjet e peshkut apo krustaceve, molusqeve apo pa-kurrizorëve tjerë ujorë) dhe me përjashtim të nën-kreut 2309 9010 (Përgatitjet e llojit për përdorim në ushqimin e kafshëve: tretjet e peshkut), si dhe 1504 10 dhe 1504 20 (yndyrat, vajrat dhe fraksionet e tyre, të peshkut, të rafinuara ose jo, por jo të modifikuara kimikisht):

Vajrat e mëlçisë së peshkut dhe fraksionet e tyre;

Yndyrat, vajrat dhe fraskionet e tyre, të peshkut, përveç vajrave të mëlçisë).

NENI 27

Produktet e përpunuara bujqësore

Protokolli I përcakton masat tregtare për produktet bujqësore të përpunuara, të listuara në të.

NENI 28

Koncesionet e BE-së mbi importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në Kosovë
Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, BE-ja do të shfuqizojë të gjitha kufizimet sasiore, dhe masat me efekt të njëjtë mbi importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në Kosovë.

Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, BE-ja do të shfuqizojë detyrimet doganore dhe pagesat me efekt të njëjtë për importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në Kosovë, përveç atyre të krerëve 0102 (gjedhe të gjalla), 0201, (mish gjedhi, i freskët ose i ftohur) 0202 (mish gjedhi, i ngrirë), 1701 (Sheqer nga kallami ose nga panxhari dhe sakarozë kimikisht e pastër, në formë të ngurtë), 1702 (Sheqerna tjera, duke përfshirë laktozën, maltozën, glukozën dhe fruktozën kimikisht të pastra në formë të ngurtë; shurupet e sheqerit që nuk përmbajnë aromatizues ose ngjyrosës; mjaltë artificiale, qoftë e përzier ose jo me mjaltë natyrale; karamel) dhe 2204 (Verërat nga rrushi i freskët, përfshirë verërat e fortifikuara; mushti i rrushit përveç atij të cekur në kreun 2009) i Nomenklaturës së Kombinuar.

Për produktet e mbuluara me Kapitujt 7 dhe 8 të Nomenklaturës së Kombinuar, për të cilat Tarifa e Përbashkët Doganore parasheh zbatimin e detyrimeve doganore ad valorem dhe një detyrim specifik doganor, eliminimi do të zbatohet vetëm ndaj pjesës ad valorem të detyrimit.
Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, BE-ja do të rregullojë detyrimet doganore të aplikueshme për importet në BE të produkteve të ”mishit të viçit të ri” të përcaktuara në Shtojcën II dhe me origjinë në Kosovë në 20% të detyrimit ad valorem dhe 20% të detyrimit specifik siç është përcaktuar në Tarifën e Përbashkët Doganore, brenda kufirit të një kuote tarifore vjetore prej 475 tonësh e shprehur në peshën e mbetjeve të kafshëve.

NENI 29

Koncesionet e Kosovës për produktet bujqësore

Që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të shfuqizojë të gjitha kufizimet sasiore dhe masat me efekt të njëjtë mbi importet e produkteve bujqësore që e kanë origjinën në BE.

Që nga data e hyrjes në fuqi e kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të:
(a) shfuqizojë tarifat doganore të aplikueshme për importet e produkteve të caktuara bujqësore që e kanë origjinën në BE, përveç atyre të listuara në Shtojcën III;
(b) shfuqizojë në mënyrë progresive tarifat doganore të aplikueshme për importet e produkteve të caktuara bujqësore që e kanë origjinën në BE, të listuara në Shtojcën IIIa, IIIb dhe IIIc dhe në përputhje me afatin kohor të cekur në atë Shtojcë.
Tarifa e aplikueshme për produkte të caktuara të listuara në Shtojcën IIId do të jetë tarifa bazë e aplikuar në Kosovë që nga data 31 dhjetor 2013.

NENI 30

Protokolli i verërave dhe pijeve alkoolike

Masat e zbatueshme për produktet e verës dhe pijeve alkoolike të referuara në Protokollin II janë përcaktuar në atë Protokoll.

NENI 31
Koncesionet e BE-së për produktet e peshkut dhe peshkatarisë

Që prej hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, BE-ja do të heq të gjitha kufizimet sasiore dhe masat që kanë të njëjtin efekt në importet e produkteve të peshkut dhe peshkatarisë me origjinë nga Kosova.

Që nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshje, BE-ja do të heq të gjitha detyrimet doganore dhe masat që kanë të njëjtin efekt për produktet e peshkut dhe peshkatarisë me origjinë në Kosovë, përveç atyre të listuara në Shtojcën IV. Produktet e listuara në Shtojcën IV do t’u nënshtrohen dispozitave të përcaktuara aty.

NENI 32

Koncesionet e Kosovës për produktet e peshkut dhe peshkatarisë

Që prej hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të heq të gjitha kufizimet sasiore dhe masat që kanë të njëjtin efekt në importet e produkteve të peshkut dhe peshkatarisë me origjinë në BE.

Që prej hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të heq të gjitha tarifat doganore dhe masat që kanë të njëjtin efekt për produktet e peshkut dhe të peshkatarisë me origjinë në BE, përveç atyre të listuara në Shtojcën V. Produktet e listuara në Shtojcën V do t’u nënshtrohen dispozitave të përcaktuara aty.

NENI 33

Klauzola e shqyrtimit

Duke marrë parasysh vëllimin e tregtisë së produkteve bujqësore dhe të peshkatarisë ndërmjet Palëve, ndjeshmëritë e tyre të veçanta , rregullat e politikave të përbashkëta të BE-së, politikat e Kosovës për bujqësi dhe peshkatari, rolin e bujqësisë dhe të peshkatarisë në ekonominë e Kosovës, si dhe zhvillimet në kuadër të OBT-së, KSA-ja do të ekzaminojë, jo më vonë se tri vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, produktet një nga një dhe mbi një bazë të ndërsjellë të rregullt dhe të përshtatshme mundësitë për t’i ofruar koncesione të mëtejshme njëri-tjetrit me synim zbatimin e një liberalizimi më të madh të tregtisë së produkteve bujqësore dhe të peshkatarisë.

NENI 34

Klauzola e masave mbrojtëse në lidhje me bujqësinë dhe peshkatarinë

Pavarësisht nga dispozitat e tjera të kësaj Marrëveshjeje dhe në veçanti të nenit 43, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e veçantë të tregjeve të bujqësisë dhe të peshkatarisë, në rast se importet e produkteve që kanë origjinën nga njëra Palë, të cilat u nënshtrohen koncesioneve të dhëna sipas neneve 27, 28, 29, 30, 31 dhe 32, shkaktojnë çrregullime serioze në tregjet ose mekanizmat rregullues të brendshëm tek cilado Palë, të dyja Palët do të fillojnë menjëherë konsultimet në kuadër të Komitetit për Stabilizim-Asociim për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme. Përderisa në pritje të kësaj zgjidhjeje, Pala në fjalë mund të marrë masat që ajo i konsideron të nevojshme.

NENI 35

Mbrojtja e treguesve gjeografikë për produktet bujqësore dhe të peshkatarisë dhe ushqimeve tjera përveç verërave dhe pijeve alkoolike
Kosova do të ofrojë mbrojtje për treguesit gjeografikë të BE-së të regjistruar në BE sipas Rregullores (BE) Nr. 1151/2012 të Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të datës 21 nëntor 2012 mbi skemat e cilësisë për produktet bujqësore dhe ato ushqimore, në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë Nen. Treguesit gjeografikë të Kosovës do të kenë të drejtën të regjistrohen në BE sipas kushteve të përcaktuara në këtë Rregullore.

Treguesit gjeografikë të referuar në paragrafin 1 do të mbrohen nga:

(a) çdo përdorim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë komercial i një emri të mbrojtur:
(i) për produkte të krahasueshme që nuk janë në përputhje me specifikimet e produktit të emrit të mbrojtur, ose
(ii) në atë masë që një përdorim i tillë shfrytëzon reputacionin e një treguesi gjeografik;
(b) çdo keqpërdorim, imitim apo evokim, edhe në qoftë se origjina e vërtetë e produktit apo shërbimit është cekur apo nëse emri i mbrojtur është përkthyer apo shoqëruar me shprehje të tilla si ”stili”, ”lloji”, ”metoda”, ”siç prodhohet në”, ”imitim”, ”aromë”, ”sikurse” ose shprehje të ngjashme;
(c) çdo tregues tjetër i rremë ose çorientues lidhur me prejardhjen, origjinën, natyrën ose cilësitë thelbësore të produktit, në paketimin e brendshëm apo të jashtëm, në materialin reklamues ose dokumentet që ndërlidhen me atë produkt dhe paketimin e produktit në një kuti që mund të jep një përshtypje të rreme në lidhje me origjinën e tij;

(d) çdo praktikë tjetër që mund të çorientojë konsumatorin për origjinën e vërtetë të produkteve të ngjashme.

Një emër i propozuar për regjistrim që është tërësisht ose pjesërisht i njëjte me një emër tashmë të mbrojtur, nuk do të mbrohet përderisa nuk ekziston dallim i mjaftueshëm në praktikë ndërmjet kushteve të përdorimit lokal dhe tradicional dhe prezantimit të homonimit të mbrojtur më pas dhe emrit tashmë të mbrojtur, duke marrë parasysh nevojën për të siguruar trajtim të barabartë të prodhuesve në fjalë dhe që konsumatorët të mos çorientohen. Një homonim që e bënë konsumatorin të besojë se produktet vijnë nga një territor tjetër nuk do të regjistrohen edhe në qoftë se emri është i saktë për sa i përket territorit aktual, rajonit ose vendit të origjinës së produkteve në fjalë.

Kosova do të refuzojë regjistrimin e një marke tregtare, përdorimi i së cilës korrespondon me situatat e referuara në paragrafin 2.

Markat tregtare, përdorimi i të cilave korrespondon me situatat e referuara në paragrafin 2, të cilat janë të regjistruara në Kosovë apo janë krijuar përmes përdorimit, nuk do të përdoren pas pesë viteve të hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. Megjithatë, kjo nuk do të zbatohet për markat tregtare të regjistruara në Kosovë dhe për markat tregtare të krijuara përmes përdorimit të cilat janë në pronësi të shtetasve të vendeve të treta, me kusht që ato nuk janë të një natyre të tillë që mund të mashtrojë në ndonjë mënyrë publikun sa i përket cilësisë, specifikimit dhe origjinës gjeografike të mallrave.

Çdo përdorim i treguesve gjeografikë të mbrojtur në pajtim me paragrafin 1 si terma tradicionalë në gjuhën e zakonshme dhe si emër i përbashkët për mallrat e tilla, ose për produktet që janë tregtuar në mënyrë të ligjshme me këtë term në Kosovë, do të pushojnë së ekzistuari më së largu pesë vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje.

Kosova do të sigurojë që mallrat e eksportuara nga territori i saj pesë vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, të mos përbëjnë shkelje të këtij neni.
Kosova do të ofrojë mbrojtjen e referuar në paragrafët 1 deri 7 me iniciativë të saj, si dhe me kërkesë të palës së interesuar. /Telegrafi/