Brooklyn Beckham thuhet se nuk dëshiron të ketë asnjë kontakt me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham.

Derisa përplasjet brenda familjes vazhdojnë, Daily Mail raportoi të enjten se shefi i kuzhinës 26-vjeçar dhe prindërit e tij kanë shkëmbyer letra verën e kaluar, por vetëm përmes ekipeve të tyre ligjore.


Sipas raportimeve, Brooklyn ka kërkuar që prindërit e tij të mos e kontaktojnë drejtpërdrejt dhe të mos bëjnë deklarata publike për të në rrjetet sociale, duke insistuar që çdo komunikim të bëhet vetëm përmes avokatëve të tij.

Foto: Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz / Instagram

Ai thuhet se e ka bërë këtë kërkesë pasi u ndje i fyer nga disa raportime rreth bashkëshortes së tij, Nicola Peltz, në të cilat sugjerohej se ai po “kontrollohej” prej saj dhe se ishte një “peng”.

“Davidit iu tha të komunikonte me ta përmes [firmës ligjore] Schillings”, i tha një burim medias. “Kjo ishte e vetmja mënyrë që ata të komunikonin”.

Muajin e kaluar, djali 20-vjeçar i David dhe Victoria Beckham, Cruz, pretendoi se Brooklyn i kishte bllokuar si atë ashtu edhe prindërit e tij në Instagram, duke hedhur poshtë raportimet se ishin David, 50 vjeç, dhe Victoria, 51 vjeçe, ata që e kishin bllokuar Brooklyn-in.