LAJMI I FUNDIT:

Bregu: Evropa do të jetë më e fortë me një Ballkan Perëndimor të integruar, të përshpejtohet procesi i zgjerimit

Bregu: Evropa do të jetë më e fortë me një Ballkan Perëndimor të integruar, të përshpejtohet procesi i zgjerimit

Ministrat e Punëve të Jashtme (MFA) të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), vlerësuan përpjekjet e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), duke u fokusuar në një sërë arritjesh specifike në dymbëdhjetë muajt e fundit: marrëveshja e reduktimit të roamingut mes BE-BP e koordinuar nga RCC si edhe tri marrëveshjet e lëvizshmërisë, të nënshkruara në Samitin e Procesit të Berlinit vitin e kaluar.

Ministrat e SEECP, të mbledhur sot në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP në Budva të Malit të Zi, miratuan gjithashtu Raportin Vjetor të RCC-së të paraqitur nga Sekretarja e Përgjithshme e organizatës, Majlinda Bregu.

“Evropa do të jetë padiskutim më e fortë me një Ballkan Perëndimor të integruar. Realizimi final i ëndrrës evropiane të rajonit tonë kërkon një vizion strategjik dhe punë të palodhur. Bashkimi Evropain duhet të vazhdojë të tregojë vullnet të fortë politik dhe përkushtim për precesin e zgjerimit. Ndërsa Ballkani Perëndimor më shumë se tek pyetjet “nëse” mbi anëtarësimin tonë në BE, duhet të fokusohet tek “kur” dhe “si”, tha Bregu, në fjalimin e sotëm në takimin ministror.


Gjatë ditës, Ministrat e Çështjeve Evropiane të SEECP-së përsëritën vlerësimin e vazhdueshëm të punës së bërë nga RCC dhe nga Sekretarja e Përgjithshme e tij, për suksesin e ridimensionimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërmarrjen e iniciativave konkrete.

“Tani jemi të etur për të përkthyer sa më parë në veprime të guximshme e konkrete deklaratat e marrëveshjet zyrtare, sepse vetëm kështu mund të mbajmë gjallë besimin e anëtarësimit tonë në BE, bazuar e frymësuar nga vizioni i drejtpërdrejtë i Schuman: Integrimi vjen përmes arritjeve konkrete! Sido që të jetë koncepti, qytetarët tanë dhe rajoni meritojnë një proces zgjerimi përmes përfitimeve të prekshme nga qytetarët, përparë se të arrijmë në anëtarësimin e plotë me BE-në”, tha Bregu, duke shtuar se ky është kursi që RCC-ja ka mbajtur e mbrojtur fort, përgjatë gjithë agjendës.

“Tregu i Përbashkët Rajonal synon një lidhje më të ngushtë të rajonit tonë me tregun e vetëm të BE-së. Tashmë e kemi një model rajonal të bazuar në rregullat e BE-së, një momentum dhe ndërgjegje të ngritur për bashkëpunimin rajonal – përbërës kyç, të cilët na bëjnë ne, në RCC, optimistë për të ardhmen dhe sukseset e reja të bashkëpunimit rajonal. Për më tepër, Strategjia jonë e përbashkët SEE2030 mbetet një plan dhe kornizë kyçe në përpjekjet tona të përbashkëta, për rritjen e qëndrueshme në të gjithë Evropën Juglindore”, përfundoi Bregu.

Takimet që përfshinin ministra dhe përfaqësues të nivelit të lartë të Evropës Juglindore u kryesuan nga Dritan Abazovic, Kryeministri i Malit të Zi, Kryesia aktuale e SEECP-së (C-i-O).

Të dy takimet e Ministrave të Çështjeve Evropiane dhe të Punëve të Jashtme të SEECP u zhvilluan nën ombrellën e Kryesisë së SEECP në detyrë (CiO) malazeze që vijon nga 1 korriku 2022.

Në Samit, Maqedonia e Veriut merr përsipër kryesimin e SEECP nga Mali i Zi për vitin e ardhshëm. /Telegrafi/