Para kësaj, Koreja e Veriut ka paralajmëruar Washingtonin mbi mundësinë e goditjes parandaluese nukleare. SHBA njoftoi se kërcënimet i konsideron si serioze edhe pse retorika ekstreme nuk është e pazakontë për Korenë e Veriut.

Në një deklaratë nga Qeveria në Phenian thuhet se Koreja e Veriut ka ndërprerë të gjitha marrëveshjet paqësore me fqinjin e saj jugor, dhe se mbylli të gjitha kalimet kufitare. Është pezulluar edhe “linja e nxehtë” e cila është instaluar në vitin 1971, si një mjet i komunikimit të drejtpërdrejtë midis dy qeverive në kohë të "tensioneve të mëdha", por që është përdorur gjithashtu për marrëveshjet për shkëmbimin e njerëzve dhe mallrave përtej kufijve.


Siç raporton agjencia koreanoveriore KCNA, Kim Jong-un ka vizituar dje trupat ushtarake dhe ka kërkuar që të jenë të gatshme për ta “shkatërruar armikun”.

Por, a mundet Koreja e Veriut që me raketat e saj të kërcënojë seriozisht SHBA-të, është pyetja që shtrohet ditëve të fundit?

Shumë ekspertë ushtarakë mendojnë se jo, derisa në anën tjetër theksojnë se Koreja Jugore dhe Japonia gjenden nën rrezen e veprimit të raketave të KV-së. Megjithatë, theksojnë ekspertët, nëse vjen deri te lufta, ushtria “mbresëlënëse” koreanoveriore vështirë se do të mund të ballafaqohej me forcat ushtarake të Koresë së Jugut, shkruan Reuters.

Nëse analizojmë shifrat, ushtria e KV-së duket goxha më e fortë. Nëse do të ndodhte lufta, 640 mijë ushtarë të Koresë së Jugut do të duhej të luftonin me dyfish më shumë ushtarë të fqinjit verior. Megjithatë, aftësitë e ushtrisë së KV-së nuk janë ashtu siç mendohen. Koreja e Veriut, shkruan Reuters, ka braktisur të gjitha format tradicionale të trajnimit ushtarak dhe janë drejtuar në përmirësimin e armëve bërthamore dhe raketave.

Prandaj, KV është në avantazh ndaj “armiqve” me armët nukleare. Raketat e tyre të rrezes së gjatë të veprimit janë rrezik jo vetëm për Korenë e Jugut, por edhe për Japoninë. Koreja e Veriut po ashtu ka dëshmuar se ka marinë të fortë, ndaj edhe këtu bazohet përparësia e tyre.

Dhe, derisa bota po pret eskalimin e konfliktit verbal mes dy Koreve, ekspertët thonë se ka gjasa të qetësohet situata. Sipas tyre, KV do të mendojë mirë para se ta nisë një sulm ndaj fqinjit jugor, kur dihet se Pheniani është i vetëdijshëm se Seuli do të përgjigjet me masën e njëjtë me ndihmën amerikane dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Për një rrezik të tillë, thonë ekspertët, Koreja e Veriut ende nuk është gati. /Telegrafi/