Derisa para një muajsh u shpall kompania fituese për ndërtimin e Qendrës Turistike dhe Rekreative “BOREA”, sot kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka nënshkruar në parim draft-kontratën me drejtorin e konsorciumit italiano–zviceran ‘Leitner AG SPA & FILAV SA’, Franc Alain Furlani.

Pas nënshkrimit të draft-kontratës, menjëherë do të vazhdoj procedura në Komisionin ndërministror të Partneritet Publiko Privat (PPP).


2 93

Brenda pesë ditëve pritet që të jepet drita jeshile, për të vazhduar më tutje me fazën finale të operimit të kompanisë për realizimin e BOREA-s.

Ndërkaq, javën që vjen më së largu do të nënshkruhet kontrata në mes Komunës së Pejës dhe konsorciumit italiano-zviceran, ku brenda gjashtë muajve kompania do ta paraqesë zgjedhjen teknike për kryerjen e punëve, planin financiar dhe planin e dinamikës së realizimit.

3 70

“Sot, me besim të plotë dhe në funksion të një të ardhmeje më të ndritur për ne dhe brezat që do të vinë pas nesh, nënshkruam në parim Draft-kontratën për Ndërtimin e Qendrës Turistike ’Borea’. ‘Borea’ po bëhet. Projekti më i madh zhvillimor në historinë e Pejës, projekti që do ta bëjmë së bashku e që do ta trashëgojnë qytetarët e Pejës ndër dekada e shekuj. Me këtë rast, Ju uroj për ditën e madhe të komunës sonë dhe i shpreh falënderim të veçantë drejtorit të Konsorciumit fitues, zt. Franc Furlani, i cili përçoi besimin e plotë të tij e të Konsorciumit për zhvillimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për Pejën”, tha Muhaxheri për Telegrafin.

4 50

Kryetari i Pejës tha për Telegrafin se ajo që është premtuar po bëhet realitet.  “Ëndrra e kamotshme e pejanëve po bëhet e prekshme”, tha Muhaxherri.

Ai ka theksuar se BOREA nuk është projekt që do ta përdorë për zgjedhje.

“Këtë nuk e kam për fushatë, por thjesht për ta bërë një ëndërr të pejanëve realitet”, ka thënë ai, duke shtuar se vetëm besimi madh që do të bëhet ky projekt i ka motivuar që të mos ndalen.

Ndryshe, Muhaxherri ka deklaruar më herët se BOREA do t'i gjenerojë mbi 10 milionë euro të hyra në vit.

Dhe 8 deri 12 herë me shumë se kjo shifër do të jetë impakti në qytetin e Pejës, respektivisht nga 80 deri në 100 milionë euro, do të jetë impakti i “Boreas”, në qytet. /Telegrafi/