Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi pasditen e sotme një bisedë telefonike me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos.

Fokusi i bisedës ishte vendosur te sfidat aktuale ekonomike dhe procesi i eurointegrimit, njoftuan nga Ministria.


“Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete dhe të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballen transportuesit profesionalë, si dhe për çështjen që lidhet me tarifat për çelikun. Në këtë kontekst, ministri Mucunski theksoi nevojën për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar, me qëllim shmangien e efekteve shtesë negative mbi ekonominë vendase”, thuhet në njoftim.

Në kontekst të rrugës eurointegruese të shtetit, ministri Mucunski konfirmoi përkushtimin e qartë dhe të fortë ndaj procesit reformues, sigurimin e vazhdimësisë në zbatimin e tij, si dhe miratimin e ligjeve që janë pjesë përbërëse e agjendës evropiane.