LAJMI I FUNDIT:

Bisedimet e tashme nuk përmbyllin konfliktin me Serbinë

Bisedimet mund të vazhdojnë edhe për vite të tëra dhe rezultati i vetëm i tyre është mos arritja e marrëveshjes. Prandaj, edhe para tri vjetësh, pavarësimi i Kosovës sipas deklaratës së presidentit Bush, të bërë në Tiranë në qershor të vitit 2007, ishte i pashmangshëm. Konflikti i shqiptarëve të Kosovës me shtetin serb ka filluar rreth 120 vjet më parë, ndërsa pavarësimi i Kosovës të paktën ndali ekspansionin serb shekullor

I
Para më se një shekulli, shqiptarët etnikë nga Kosova iu nënshtruan dhunës së Mbretërisë Serbe menjëherë gjatë dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Qytetet lindore të Kosovës u spastruan dhe në Kosovë u vendosen refugjatët, që edhe tash pas një qind vjetësh njihen si muhaxhirë. Rajonet tjera u përfshinë nga flakët, vrasjet, masakrat kolektive dhe dhunimet, duke vendosur kështu një pushtet ushtarak i cili në mënyra dhe kohë të ndryshme, ka vazhduar dhunën mbi shqiptarët e Kosovës për më shumë se një shekull të plotë. I njëjti sundim, të njëjtat qëllime, të njëjtat metoda u përdorën pothuaj gjatë tërë shekullit me synim të vetëm spastrimin e plotë dhe definitiv të shqiptarëve nga Kosova. Memorandumi i famshëm i Vasa Cubriloviqit, i vitit 1937, ishte dhe mbetet dokument zyrtar i qeverisë së Serbisë për strategjinë e zgjidhjes së problemeve me shqiptarët etnikë në Kosovë. Kjo strategji është e bazuar në metodat e përdorura në rajonin e Nishit, Leskovës dhe Prokuples, në vitet e 80-ta të shekullit të 19-të, ndërsa ishte tentuar më pas disa herë gjatë shekullit të 20-të, në përgjithësi pa suksesin e pritur.


II
Perceptimet e të dy popujve, sipas studiuesve, janë që konflikti mes tyre është historik dhe si i tillë ka filluar shumë shekuj më parë, duke kontestuar të drejtën historike, identitetin dhe vlerat e formimit kombëtar. Argumentet historike thonë se në mes të shekullit të 9-të deri në pjesën e parë të shekullit të 11-të ka ndodhur ekspansioni i parë i sllavëve në Kosovën atëherë të sunduar nga bullgarët. Sllavët e ardhur në Ballkan kah fillimi i shekullit të 7-të, derisa serbët u vendosën fillimisht në Rashkë dhe Mal të Zi, përsëriten ekspansionin në territorin e Kosovës edhe në fund të shekullit të 12-të. Pushtimi i parë i plotë i Kosovës nga ana e serbëve argumentohet të ketë ndodhur nga Zhupan Stefani, i cili një vit më pas u kurorëzua me rite fetare katolike si “Mbret i Serbëve”. Kah fundi i shekullit të 13-të, nën sundimin e Nemanjidit, u ndërtuan Manastiret në Graçanicë, Deçan dhe Prizren, duke pasuar kështu valën e dytë të ekspansionit serb mbi Kosovën. Kulmi i shtetit mesjetar serb ishte prej mesit të shekullit të 13-të deri në mesin e shekullit të 14-të, nën Mbretërit Stefan, Urosh, Milutin dhe Dushan, ndërsa kryeqyteti i tyre ishte Shkupi.

III
Pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, ku ushtria otomane shpartalloi fuqinë ushtarake ballkanase të udhëhequr nga një serb, Kosova mbeti sërish nën sundimin e serbëve, porse në një format tjetër tashmë. Princërit serbë sunduan Kosovën për rreth 70 vjet si vasalë të otomanëve dhe hungarezëve, derisa edhe vetë kishin marrë pjesë në luftërat e otomanëve në pushtimin e pjesës tjetër të Ballkanit. Kështu ndodhi deri në vitin 1455, kur otomanët morën sundimin e drejtpërdrejtë mbi Kosovën dhe kjo zgjati deri në vitin 1912, kur Perandoria Osmane filloi të shpartallohej. Porse, përsëri ndodhi një tjetër ekspansion i serbëve mbi Kosovën, ekspansion ky që përfundoi, të paktën në disa forma, pas rreth një shekulli, pra në shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. Pavarësimi i Kosovës, pas përpjekjeve përmes një procesi ndërkombëtar, qartësisht ishte e vetmja zgjidhje. Shqiptarët etnikë të Kosovës merituan të kenë shtetin e tyre dhe për të marrin obligime ndërkombëtare.

IV
Përkundër të gjitha përpjekjeve që ka bërë dhe mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare dhe bota demokratike Perëndimore, mundësia e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit mes shqiptarëve etnikë të Kosovës dhe shtetit serb nuk duket gjëkundi. Për rreth dy vjet negociata në procesin e njohur si “negociatat e Vjenës”, pala kosovare ka bërë punë të shkëlqyer në kontributin e saj për përfundimin e konfliktit me shtetin serb dhe arritjes së një shoqërie e shteti funksional të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur me palën serbe, ndërsa procesi i tashëm për gjoja përmbylljen e konfliktit mes palëve duket se janë të kota dhe tension-ngritëse. Bashkësia ndërkombëtare duhet të llogaris në mënyrë të detajuar nivelin e tensionimeve në Kosovë, duke pasur parasysh deklaratat e përditshme kërcënuese që vijnë nga qarqet qeveritare dhe joqeveritare të Serbisë. Bisedimet e tashme mund të vazhdojnë edhe për vite të tëra dhe rezultati i vetëm i tyre është mos arritja e marrëveshjes. Prandaj, edhe para tri vjetësh, pavarësimi i Kosovës sipas deklaratës së presidentit Bush, të bërë në Tiranë në qershor të vitit 2007, ishte i pashmangshëm.

(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputet në Kuvendin e Kosovës)