Bill Gates i dhuron 8 miliardë dollarë ish-gruas për bamirësi

Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, i ka dërguar gati 8 miliardë dollarë ish-gruas së tij, Melinda French Gates, për punë bamirësie, duke e bërë fondacionin e saj një nga organizatat jofitimprurëse më të mëdha në botë.
Çifti njoftoi divorcin e tyre në maj 2021 pas 27 vitesh martesë.
Më pas ata e ndanë punën e tyre dhe French Gates njoftoi në maj 2024 se do të tërhiqej nga posti i bashkëkryetares së Fondacionit Gates.
Fondacioni Gates ka shpenzuar 53.8 miliardë dollarë që nga viti 2000 për shëndetësi, barazi gjinore, zhvillim global dhe arsim, sipas faqes së saj të internetit.
Kur French Gates njoftoi dorëheqjen e saj, ajo shkroi: "Sipas kushteve të marrëveshjes sime me Bill, duke u larguar nga fondacioni do të kem 12.5 miliardë dollarë shtesë për t'i kushtuar punës sime në emër të grave dhe familjeve."
Sipas njoftimit, pjesa më e madhe e këtyre parave iu dha Pivotal Philanthropies, një organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 2022 si pjesë e grupit më të gjerë Pivotal, të cilin French Gates e themeloi në vitin 2015 për të “përshpejtuar ritmin e progresit shoqëror për gratë dhe të rinjtë në SHBA dhe në mbarë botën”. /Telegrafi/

















































