Big Basta: Emisionin e parë e incizova me kaseta magnetofoni

Një nga artistët më rebelë dhe të drejtpërdrejtë të skenës muzikore shqiptare, Gerald Xhari, i njohur me emrin Big Basta, njihet për stilin e veçantë dhe unik në tekstet dhe muzikën që ai krijon.
Shumë e njohin Big Basta-n si kantautor, por pak e dinë që krahas dashurisë së tij për muzikën, e kryesisht rrymën hip-hop, ai ka qenë i dhënë që në fëmijëri pas radios.
Fillimet e tij ai i kujton me nostalgji, që në kontaktin e tij të parë me magnetofonin me dy kaseta, për të vijuar më pas me emisione radiofonike, e deri tek drejtimi i radios MCN, e cila është e specializuar vetëm në rrymën hip-hop. Në këtë rrëfim për Bordo, Big Basta rrëfen pasionin e tij për radion dhe muzikën, si ka nisur çdo gjë për të, punën e tij si kantautor si dhe dashurinë e tij më të madhe: djalin Lian.
E mbani mend herën e parë në radio? Karriera ime në radio ka nisur që në vilin2009-201o, dhe pasioni im si gjithmonë ka qenë hip-hop-i, të cilin e studioj me literaturë, me gjithçka të mundshme. Hera e parë e imja në radio ka qenë gjithë emocion. Duke qenë se kam patur një emision hip-hop, kam qenë shumë i përgatitur dhe kjo më bënte të ndjehesha shumë i sigurt. Megjithatë, përveç herës së parë në radio që kam dalë 'on air', unë fëmijë me atë magnetofonin e kohës me dy kaseta, dëgjoja me njërën anë muzikë dhe me tjetrën regjistroja zërin tim, kështu që emisionet e para i kam realizuar që në shtëpi (qesh). Kjo do të thotë se që i vogël e kam patur atë ndjenjën për të prezantuar emisione.
Përveç pasionit dhe dëshirës që ju përmendët, kush ka qenë momenti më vendimtar që ju keni vendosur t'i futeni rrugës së artit? S'kam patur momente vendimtare, me thënë të drejtën. Unë fakultetin e kam mbaruar për sociologji dhe nuk e kam menduar ndonjëherë se do i futem rrugës së artit. Hera e parë që shkova në studio për të regjistruar një këngë ka qenë shumë e rastësishme. Ishin dy miqtë e mi të cilët kishin formuar një grup rep-i dhe një anëtar i grupit ju iku dhe meqenëse unë isha fans i zjarrtë i 2pac-ut, aq sa në shkollën 'Sami Frashri' më njihnin me emrin 2Pac, ata menduan se unë duhet të dija të bëja rep mirë, unë ju thash 'se di do e provoj', edhe ajo ishte hera e parë në studio. U futa, më pëlqeu, ishte shumë e bukur dhe kuptova që ja vlente të bëje këngë sërish. E njëjta gjë edhe për radion. Thjeshte shikoj jetën si sfidë. Më pëlqen të jem para ekranit, para mikrofonit, para kamerave, mendoj se atë punë mund ta bëj më mirë sesa punët e tjera, pasi kam bërë edhe punë të tjera.
Ndjesia baba...Çfarë ka ndryshuar tek ju? Ka ndryshuar fakti që kam mbas vetes një shok të ngushtë me pampers dhe një person që më ngjan, ka veset e mia dhe të bashkëshortes time. Fle gjumë me zërin tim, edhe pse e kam kaq të trashë dhe është komplet krijesa jote. Është ndjenjë shumë e pashpjegueshme. Nuk e marr me çështjen e besimit, se si e transmetojnë besimet fetare, unë po them vetëm diçka, është sfidë e madhe, por nga krahu tjetër është ndjesia më e madhe dhe për herë të parë kam gjetur shokun e ngushtë, të cilin e kam gjithë jetën.
Keni krijuar ndonjë këngë apo melodi për djalin? Jo, nuk kam krijuar akoma asnjë melodi për djalin, por në rast se do që të luaj atë rolin e artistëve bohemianë, mund të them që çdo melodi që e krijoj, e krijoj për djalin.






















































