Besnik Humolli tashmë ka ndërtuar një karrierë me shumë djersë, këmbëngulje dhe me punën e palodhur bëri të kapërcente shumë të papritura në rrugën e gjatë të formimit të tij
Por, një gur themeli që dukshëm ndikoi në formimin e karrierës së tij prej sportisti, gjithsesi mbetet në mënyrë të pakontestueshme, babai i tij Idriz Humolli, kampion i shumëfishtë në bodibilding, i cili është aktiv edhe sot në fitness.
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Që nga hera e parë, kur para pasqyrës provoi ndjesinë që të dhuron pamja e një trupi të bukur që spikat me muskuj, e deri më sot, Besnik Humolli nuk është dorëzuar për asnjë çast.
Nuk i ka rralluar zgjimet e hershme të mëngjesit për të përfillur rutinën e fituar shumëvjeçare, ku ai ka fituar, jo vetëm linjat e dëshiruara, fizikun mbresëlënës, por edhe një ‘regjim’ të cilin e respekton me fanatizëm.
Me trupin e ‘gdhendur’ deri në perfeksion, gëzon disa cilësi që është e vështirë të gjenden tek kolegët që ushtrojnë të njëjtin sport.
Që kur u shfaq në ekran, ai tërhoqi publikun qysh në kontaktin e parë. Tani kujdesin për trupin e ka shndërruar në stil jetese. Nuk ngurron të këshillojë për stërvitjet dhe regjimin e ushqimit që janë shembull për t’u ndjekur, pasi gjithçka duhet të nis nga palestra.
Besniku përmes kësaj interviste e zbulon pasionin dhe përkushtimin e madh që jep çdo ditë për këtë sporti kaq fisnik, por edhe kaq të vështirë. Këto dhe shumë të tjera mund t’i mësoni në intervistën e mëposhtme.
Besnik, për ju fitnesi është shumë më tepër se përditshmëri. Nuk do të gabonim nëse do të konstatonim se veprimtaria juaj ka të bëjë me kulturën e jetës. Por, edhe për një dashuri të heshtur, e cila tashmë është shpërfaqur ndjeshëm.
Fitnesi qysh nga fëmijëria për mua ishte një dashuri e pareshtur dhe pjesë e jetës. Që nga mosha 3-vjeçare fillova të shikoja videokasetat e bodibilderëve botëror dhe isha i apasionuar me stërvitjet e tyre dhe mënyrën e të ushqyerit. Përderisa fëmijët e tjerë zbaviteshin me programe për fëmijë, unë hulumtoja në sirtarin e babait tim për të shikuar videokasetat që kishin të bëjnë me bodibildingun, fitnesin dhe mënyrën e të ushqyerit – nutricionin!
Gëzoni famën e një trajneri jashtëzakonisht të suksesshëm, por edhe të kërkuar, gjithandej. Ku qëndron çelësi i këtyre arritjeve?
Mendoj që përveç shkollimit dhe përvojës që kam si trajner, dashuria e madhe që kam ndaj këtij sporti, është ajo që më veçon dhe më bën të suksesshëm!
Për të qenë trajner i suksesshëm, së pari duhet ta bëni punën me dashuri, pastaj me përgjegjësi dhe përkushtim të vazhdueshëm, pa marr parasysh rrethanat dhe gjërat që ju ndodhin gjatë ditës, sepse energjia që ju mbartni në vete është pikërisht ajo që transmetohet tek klientët!
Është shembull, madje i rrallë, mbase e gjithë familja juaj është e pasionuar, e përkushtuar dhe e dashuruar ndaj fitnesit. Sigurisht njëri nga motivuesit, është babai juaj i cili ua ka mbëltuar këtë përkushtim, ndonëse, ai ka mbetur shembull i gjeneratave si promotori i vërtetë i fitnesit dhe jetës së shëndetshme.
Mendoj se meritor për dashurinë dhe pasionin ndaj fitnesit që e kemi gjithë familja është babai ynë, Idriz Humolli, i cili është themelues dhe kampion i shtatëfishtë i këtij sporti në Kosovë. Dashuria dhe pasioni i tij për fitnesin që vazhdon prej dekadash, reflektoi dhe u mboll qysh herët në zemrat tona!
Babai im, ishte idoli im dhe motivuesi kryesore për fitnesin, ushtrimet dhe ushqimin e shëndetshëm. Duke e parë rrugëtimin e tij dhe duke u mbështetur gjithmonë në këshillat e tij, kam arritur ta përvetësojë këtë lëmi dhe të arrijë këtu ku jam sot.
Qysh si i ri jeni mbërthyer në këtë sport duke marrë nga ai emocione të mëdha. Sa kohë ju është dashur që të ‘ndërtoni’ trupin për të cilin shumica ju admirojnë? A keni hasur në vështirësi dhe sakrifica sublime?
Si i ri kam qenë mjaft i përkushtuar dhe i disiplinuar sa i përket stërvitjes së fitnesit dhe nutricionit. Edhe pse në kohen kur unë kam filluar të stërvitem nuk ka pasur informacion sa ka sot, kam lexuar, studiuar dhe jam konsultuar gjithherë me babin, në mënyrë që stërvitja ime të jetë sa më efektive dhe të ndikojë maksimalisht në ndërtimin e muskujve. Për të arritur një “fizik fitnesi”, format që unë i posedoj, më janë dashur 5 vite ushtrime intensive dhe ushqim të përzgjedhur!
Normal që gjatë rrugëtimit disa herë kam hasur në vështirësi, por mendoj që pikërisht ato vështirësi më kanë ndihmuar të gjejë mënyra tjera të stërvitjes dhe ushqyerjes, pra të thyej muret që më janë shfaqur dhe të gjejë rrugë të reja për të arritur format e trupit që i gëzoj sot.
Si ia keni dalur që për më shumë se dy dekada të ruani jo vetëm formën trupore, por edhe disiplinën?
Fillimisht kam stërvitur dhe jam ushqyer për ta ndërtuar një trup të bukur, pastaj me kalimin e kohës e kam kuptuar rëndësinë e stërvitjes në shëndetin mendor, dhe pasi kam kuptuar se shëndeti mendor varet kryesisht nga shëndeti fizik, atëherë kam vendosur që stërvitja dhe ushqyeshmëria ime të jenë pjesë e jetës, jo vetëm për të mirëmbajtur formën trupore, por edhe atë mendore.
Kohëve të fundit, veçanërisht të rinjtë, po i përkushtohen gjithnjë e më shumë ndërtimit të trupit të bukur. Sigurisht se edhe kërkesat për trajnerë personal janë rritur. Cilat cilësi duhet të ketë një trajner për të krijuar kuadro nga kjo fushë?
Ngase kërkesat për trajner personal çdo herë po rriten, fatkeqësisht kuadrot dhe profesionalizmi po bie. Shkas i kësaj dukurie negative janë rrjetet sociale të cilat kanë ndikuar që disa trajner, pa pasur fare cilësi, të klasifikohen si trajner profesionist vetëm sepse në profilin e tyre shfaqen duke stërvitur disa VIP-a!
Për të qenë trajner profesionist, së pari nevojitet shkollimi i duhur, pastaj përvojë në stërvitje së paku 5 vite, shkathtësi në komunikim, përgjegjësi dhe saktësi në përcaktimin e planit të stërvitjes, përditësim me të rejat rreth stërvitjes dhe nutricionit, përcaktim dhe monitorim i vazhdueshëm i intensitetit të stërvitjes, mirëkuptim dhe mirësjellje gjatë stërvitjes, etj.
Fitnesi kërkon një disiplinë të madhe. A duhet të jetë trajneri i ‘ashpër’ me klientë për të nxjerrë më të mirën prej tyre.
Fitnesi kërkon një disiplinë të madhe dhe për ta nxjerrë më të mirën prej klientit, trajneri fillimisht duhet ta luaj rolin e psikologut, pra ta njoh mirë klientin dhe pastaj ta zgjedh mënyrën e sjelljes, sepse jo të gjithë motivohen duke u sjellë ashpër, disa klientë motivohen më tepër duke u sjellë me butësi!
Ka vijues të cilët bëhen edhe ‘të padurueshëm” në mënyrë që rezultatet t’i arrijnë në çast. Çfarë sugjerimi keni për ta.
Është e vërtet qe disa ushtrues presin rezultate brenda ditëve, por unë si trajner mundohem t’i bind se ato rezultate janë të pamundura sidomos nëse synojnë t’i arrijnë ato në mënyrë natyrale. Unë mendoj se asgjë e mirë nuk arrihet lehtë dhe shpejtë, gjërat e mira vijnë për ata që kanë durim.
Cili është gabimi më i shpeshtë që bëjnë, nëse ata vetes i caktojnë programin e ushtrimeve dhe marrin rolin e vettrajnuesit?
Për disa që ia caktojnë vetes një program të ushtrimeve pa pasur njohuri të mjaftueshme rreth fitnesit dhe stërvitjes, shpeshherë ngelin të zhgënjyer me rezultatet e tyre, sepse nuk arrijnë të përmbushin qëllimin e caktuar, shpeshherë pësojnë disbalancë të muskujve, hasin në lëndime të ndryshme, ndihen të stërlodhur, ndjejnë dhimbje të nyjeve dhe kyçeve, etj.
A mund të zëvendësojnë aplikacionet e fitnesit trajnerët personalë?
Aplikacionet e fitnesit nuk mund ta zëvendësojnë asnjëherë trajnerin personal, sepse ato programe i dedikohen shumicës dhe janë ushtrime gjithëpërfshirëse, jo të specifikuara për një person dhe një qëllim të caktuar siç bën trajneri personal. Aplikacionet e fitnesit, edhe pse nuk mund të zëvendësojnë trajnerin personal, ato i japin një ndihmese ushtruesve, por nganjëherë edhe trajnerëve sepse nga to mund të marrin ide rreth variacioneve të ushtrimeve.
Në çfarë mënyre ju i këshilloni dhe i motivoni ata që kanë hamendësime para një vendimi për të filluar me stërvitje? Përse palestra është vendi i duhur për ta?
Për të gjithë ata që kanë hamendësime për të filluar me stërvitje, i këshilloj që ta provojnë fillimisht fitnesin dhe të fillojnë gradualisht me stërvitjen dhe ta marrin atë më tepër si terapi për shëndetin e tyre, sepse ka jashtëzakonisht dobi të mëdha dhe më pas gjatë rrugëtimit t’i vendosin vetes edhe qëllime tjera siç është rritja e forcës, qëndrueshmërisë, rritja e muskujve dhe definimi i trupit.
Shumica e përjetojnë ekskluzivisht si një rrugë drejt dukjes së bukur, por fitnesi është shumë më i rëndësishëm se dukja e bukur. A mund të na thoni diç më shumë lidhur e këtë?
Fitnesi përveç se transformon trupin dhe e formon atë në një version më të mirë dhe më të bukur, ka edhe shumë dobi tjera të cilat nuk mund të vërehen me sy. Disa nga benefitet që sjellë fitnesi janë: përmirëson sistemin e tretjes, qarkullimin e gjakut, stabilizon sheqerin, shtypjen e gjakut, shpejton metabolizmin, forcon kockat, zemrën, balancon sistemin hormonal, rritë disponimin, vetëbesimin, energjinë pozitive, etj.
Për t’u marrë me sport, kërkohet një meny e begatë. Sot, kur shijet e ndryshme të ushqimit të shpejtë gudulisin shqisat çdo ditë, vlera e të diturit se si të zgjedhim dhe të përgatisim ushqime cilësore është e një rëndësie vendimtare për shëndetin tonë. Sa ndikon nutricionizmi si një disiplinë shkencore relativisht e re pikërisht me këtë?
Mënyra e të ushqyerit ndikon dukshëm në cilësinë e jetës, kurse te sportistët ndikon dukshëm edhe në përformancën e tyre. Çdo sportist duhet ta ketë një plan të personalizuar të ushqimit në bazë të sportit që ai e praktikon. Për ata që stërviten fitnes dhe kanë për qëllim ndërtimin e trupit, është me rëndësi të konsumojnë një sasi të konsiderueshme të proteinave gjatë ditës për të arritur ndërtimin e muskujve, pastaj sasinë e mjaftueshme të karbohidrateve të cilat janë përgjegjëse për intensitetin e stërvitjes, por edhe konsumimin adekuat të yndyrave për të lubrifikuar nyjet dhe balancuar sistemin hormonal.
Në punën e nutricionistëve, shprehja ushqimi i duhur përmendet më shpesh. Çfarë është saktësisht ushqimi i duhur, si do ta përkufizonit atë dhe a vlen për të gjithë njerëzit apo është çështje nevojash/dëshirash individuale?
Nuk ka ushqim të duhur për të gjithë, sepse për dikënd ai ushqim i duhur mund të shkaktojë probleme shëndetësore ngase është intolerant apo edhe alergjik. Psh. vezët janë një superushqim dhe për disa janë pjesa kryesore e menysë, mirëpo për disa që janë alergjik mund të jenë vdekjeprurëse. Përveç kësaj, ushqyeshmëria varet nga metabolizmi, aktiviteti ditor dhe sportit që praktikojmë. Unë mendoj se ka kalori të duhura për çdonjërin, sepse atë mund ta kuptojmë përmes testit të metabolizmit (Inbody). Kjo nënkupton, çdo njeri duhet ta dijë për veten sa kalori i duhen gjatë ditës dhe pastaj në bazë të kalorive ditore të përcaktohet plani ushqimor duke e shoqëruar me përzgjedhjen e ushqimeve, të cilat treten mirë nga organizmi dhe aktivitetin fizik apo sportin që praktikojmë.
Jeni ballafaquar ndonjëherë përballë ushqimit të preferuar dhe nuk keni arritur të vetëpërmbaheni duke i thënë vetes, “nami të bëhet, do e ha”?
Mendoj se çdo njeri ka neps për ndonjë ushqim të caktuar dhe këtë e shoh si të natyrshme, mirëpo duhet balancuar nepsi dhe të mbahet nën kontroll. Edhe unë, ia lejoj vetes të ha ndonjë ushqim që nuk është shumë i dobishëm, mirëpo ajo mund të jetë një shujtë brenda javës, jo brenda ditës, sepse nëse teprohet, mund të behet shprehi dhe më pas të kthehet në varësi!
Kohët e fundit, sipas shumë udhëzuesve, duket se bota po rrëshqet drejt të ushqyerit vegjetarian dhe vegan. Cili është mendimi juaj për këtë trend ushqimi?
Të ushqyerit vegjetarian dhe vegan ka mungesa në proteina, minerale dhe vitamina. Edhe pse këta nutrient mund të zëvendësohen me shtesa, mendoj që, nuk është një zgjedhje e duhur sidomos për sportistë profesionist. Trupi i njeriut ka nevojë për proteina të mishit e sidomos për atë të vezëve, e cila ka valutën më të lartë biologjike, pra është proteina më e mirë dhe më kualitative që mund ta marrim përmes ushqimit ditor.
Një nga problemet moderne shëndetësore të përhapura lidhet me intolerancën dhe alergjenët ushqimor. Sa e vështirë është të rregullosh dietën adekuate dhe t’i shmangesh problemeve eventuale, veçanërisht te sportistët/rekreativët?
Është shumë me rëndësi fillimisht të bëhet një test i intolerancës ushqimore dhe më pas t’ju shmangemi atyre alergjenëve, sepse ajo prek ndjeshëm performancën e sportisteve. Tani më edhe në vendin tonë ka mjaft produkte ushqimore pa alergjenë, laktozë dhe gluten. Është mirë që sportistët t’i shmangin produktet që janë intolerante, t’i zëvendësojnë ato me produkte tjera pa alergjenë dhe të mbajnë çdoherë nën kontroll sasinë dhe cilësinë e ushqimit, sepse vetëm atëherë do ta kenë një performancë të lartë sportive.
A ekziston ndonjë këshillë e përgjithshme që një nutricionist mund t’i japë për të gjitha moshat?
Disa nga këshillat që një nutricionist mund t’i japë për të gjitha grupmoshat janë: mos konsumo ushqime të procesuara, përdor sa më pak kripë, limito sheqernat, konsumo më tepër yndyra bimore se shtazore, konsumo sasi të mjaftueshme të proteinave, hidrato mirë trupin me ujë, mbaje nën kontroll peshën trupore, etj. dhe për fund, një thënie që unë e praktikoj për vete: përdor ushqimin si ilaç e mos përdor ilaçe në vend të ushqimit.
Krahas fitnesit dhe angazhimeve tjera, në medie, jepni këshilla për të jetuarit shëndetshëm, për sportin dhe palestrën… Sa keni arritur që ta ‘mbillni’ këtë kulturë në edukimin e brezave të rinj?
Unë mundohem çdo herë përmes punës time si nutricionist, trajner personal, intervistave, shkrimeve dhe rrjeteve sociale t’i këshilloj dhe edukoj të rinjtë se fitnesi dhe ushqyeshmëria – nutricioni, janë mënyra e drejtë dhe e duhur për të arritur një formë të bukur dhe të shëndetshme trupore. Çdo herë mundohem të jap mesazhe edhe kundër medikamenteve ilegale, siç janë steroidet, t’i informoj se përdorimi i tyre vetëm sa do ta shkatërrojë shëndetin dhe pamjen e tyre.
Nga komplimentet dhe lëvdatat që marr çdo ditë, mendoj që ia kam arrit sadopak të mbjelli një kulturë edhe tek të rinjtë tanë që fitnesi dhe nutricioni përveç pamjes së jashtme janë të lidhura ngushtë edhe me shëndetin tonë dhe se një trup i bukur mund të ndërtohet edhe pa përdorur substanca e droga ilegale – steroide.
Çka shikon nga disiplinat tjera sportive kur nuk stërviteni? Me çfarë ju pëlqen të relaksoheni më shumë?
Sa i përket sporteve tjera i përcjelli të gjitha ngapak, mirëpo jo me ndonjë entuziazëm të fortë, më tepër relaksohem kur lexoj rreth nutricionit dhe fitnesit, vrapoj, bëj saunë dhe gjithashtu kur gjendem pranë detit, notoj!
View this post on Instagram
Si arrini ta harmonizoni jetën familjare, dyndjen e angazhimeve dhe një serë peripecish të tjera?
Përveç trajnimit të klientëve personal, intervistave dhe punëve tjera rreth palestrës time, së fundmi jam angazhuar shumë edhe me testime të intolerancës ushqimore. Përkundër gjithë këtyre obligimeve, për mua mbetet prioritet familja ime dhe për këtë arsye mundohem të mos ndjehet mungesa e pranisë time. Për t’i harmonizuar mirë gjërat, së pari duhet të vendosen prioritetet dhe pastaj të përfillen ato me përpikëri.
Sigurisht, se njeriu i parë që i gëzohet sukseseve tuaja, është prindi juaj. Mbase edhe ju ia dedikoni njeriut, që dikur ka qenë pararojë e vendit në një sport jo aq të lëvruar siç është bodybuildingu?
Prindërit janë të parët që, çdo herë, më shkruajnë dhe komplimentojnë kur unë mbaroj intervistat në televizionet e ndryshme. Përderisa nëna ime çdo herë mburret me bukurinë dhe prezencën time, babai çdo herë e analizon fjalorin tim dhe shpeshherë më jep sugjerime.
Unë suksesin tim ia dedikoj prindërve të mi e në veçanti, babait, i cili ishte shtylla kryesore dhe përkrahja ime e vazhdueshme tash e 22 vite. Pa këshillat dhe përkrahjen e tij nuk do të isha këtu ku jam sot. Babai im ishte, është dhe do të jetë gjithmonë – idoli im! /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje