Site icon Telegrafi

Besa mposht Borcin dhe kalon në rrethin e tretë të Kupës së Evropës në hendboll

Foto: Kosovo Olympic Committee/Facebook

Me këngën Besa – besë, Besa Famgas nga Peja kualifikohet në rrethin e tretë të Kupës së Evropës në hendboll (meshkujt).

Besa Famgas shkatërron me rezultat 29:22 (18:14) ekipin Borci nga Banjalluka, në ndeshjen e kthimit që u zhvillua në palestrën e sportit në Pejë.

Djelmoshat e kryetrajnerit Arben Muqolli treguan lojë të madhe që nga minuta e parë e deri në fund, duke thelluar fitoren. Pejanët iu revanshuan Borcit për humbjen në Banjallukë, me rezultat 28:25 dhe në një atmosferë armiqësore në palestrën “Borik”.

Tre gola epërsi (8:5) për Besën në minutën e 15-të.

Ndeshja gjithnjë e më e fortë në minutat vijues, në minutën e 23-të, Besa ishte në epërsi me 4 gola (14:10) ndaj ekipit që garon në Kampionatin e Bosnjës e Hercegovinës.

Në minutën e 27-të ngushtohet rezultati në 14:12.

Portieri Mursel Mehmeti po tregon formë të mirë së bashku me hendbollistët Egzon Gjuka, Kastriot Jupa, Nikolla Prcen e etj. Gjuka ishte fantastik duke shënuar 7 gola.

Në palestrën e sportit “Karagaçi” në Pejë, nuk ishin më shumë se 200 shikues sepse nuk u lejuan me shumë për shkak të rregullave të kohës së pandemisë.

Pjesa e parë përfundoi me katër gola dallim (14:10).

Në pjesën e dytë Besa tregoi lojë të madhe, në shumicën e kohës udhëhoqi me 6-7 gola.

Në minutën e 51-të, Besa ishte në epërsi me 7 gola (27:20). Borci nuk kishte fuqi t’i kundërvihet pejanë, që administruan lojën.

Besa shënon fitore me 29:22 dhe kualifikohet në rrethin e tretë të Kupës së Evropës. Egzon Gjuka ishte më efikasi me 7 gola. Nikola Prce i realizoi 6 gola, ndërsa Deniz Terziqi e Kastriot Jupa realizuan nga 4 sosh.

Exit mobile version