Besa - Bashkimi garë për elitën, Shkëndija e Haraçinës kërkon ringritjen

Ndeshja e shumëpritur e balotazhit për një vend në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut për sezonin e ardhshëm do të zhvillohet mes dy ekipeve shqiptare, Besës nga Dobërdolli dhe Bashkimit nga Kumanova, njofton Telegrafi.
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka konfirmuar se kjo sfidë vendimtare do të luhet në stadiumin e qytetit në Kavadar, pas një rekomandimi nga Ministria e Punëve të Brendshme për arsye sigurie dhe organizative.
Kjo përballje, që do të përcaktojë se cila skuadër do të jetë pjesë e elitës së futbollit vendor në sezonin e ardhshëm, është caktuar të zhvillohet të dielën, duke filluar nga ora 17:00. Për drejtësinë në fushë do të kujdeset arbitri Stojançe Trpçevski nga Shkupi. Kujtojmë se Besa e përfundoi sezonin në Ligën e Parë në pozitën e dhjetë, duke kërkuar që përmes balotazhit të sigurojë vazhdimësinë në elitë, ndërsa Bashkimi, që u rendit i treti në Ligën e Dytë, synon rikthimin historik në mesin e më të mirëve pas një sezoni të suksesshëm.
Sot me fillim në ora 17:00 në Kavadar, Shkëndija e Haraçinës përballet me Osogovën në ndeshjen vendimtare të balotazhit për inkuadrim në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut. Kjo sfidë paraqet një nga momentet më të rëndësishme për klubin nga Haraçina, që pas shumë viteve kërkon të rikthehet në Ligën e Dytë të vendit. /Telegrafi/

















































