Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, me ftesë zyrtare të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Malit të Zi, Predrag Boshkoviq po merr pjesë në punimet e Konferencës së ministrave të mbrojtjes në kuadër të iniciativës ,,ShBA-Karta e Adriatikut (A-5) që po zhvillon punimet në qytetin e Budvës në Mal të Zi.
Në takim po marrin pjesë: Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara Vendi, Laura Kuper, ministri i FSK-së Rrustem Berisha, ministri i Mbrojtjes së Bosnjes dhe Hercegovinës Marina Pendes, i Kroacisë Damir Krstiqeviq, i Maqedonisë Radmilla Shekerinska, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaçka, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Sllovenisë Millosh Bizjak si dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Zhivkoviq.
Në fjalën e hapjes kryetari i qeverisë malazeze Predrag Parkoviq ka thënë se konferenca e ministrave të mbrojtjes ,,ShBA- Karta e Adriatikut’’ për lëndë kryesore ka sigurimin e mbështetjes për vendet aspirante në procesin e anëtarësimit në NATO. Ai ritheksoj se Mali i Zi do të vazhdojë të punojë për të përmbushur objektivat e strategjik për forcimin e bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral në mes të vendeve të Evropës Juglindore.
Ndërsa, ministri Boshkoviq tha se ,,ShBA- Karta e Adriatikut’’ është një forum i rëndësishëm për promovimin e aspiratave euro-atlantike të vendeve të Evropës Juglindore, si dhe një instrument i fuqishëm për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara Laura Kuper theksoi rëndësinë e rolit të Kartës në përforcimin e mirëkuptimit reciprok dhe besimit në vendet e rajonit. Ajo tha se sfidat e sigurisë nuk njohin kufij, krijojnë një nevojë për të përcaktuar burime dhe projekte të përbashkëta, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të mbrojtjes kombëtare, në këtë drejtim SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vendeve në rajon.
Pjesëmarrësit e takimit konfirmuan vendosmërinë për të vazhduar të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, nxitjen e dialogut politik dhe zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak, me qëllim të sigurimit të qëndrueshëm të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. /Telegrafi/