"Në themel të Partisë Demokratike ishin aspiratat e të rinjve për të qenë pjesë e Evropës", tha Berisha, ndërsa shtoi se çështja kombëtare qëndron si yll polar në programin e PD-së.

Berisha tha se me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, fqinjët kanë dashur të na zhdukin, ndërsa ende sot në rajon qëndron si një re albanofobia.


“Albanofobia është një re që qarkullon në rajon, fqinjët na shihnin si qytetarë të dorës së dytë e të tretë, nuk mund t’i pranojnë shqiptarët si qytetarë të lirë, sot jemi më të bashkuar se kurrë, çdo pëllëmbë toke është territor në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Ata të cilët mendojnë që ne do mund të kemi çështje më të madhe se çështja kombëtare gabohen rëndë, duhet ta dinë mirë se shqiptarët janë adresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në rajon dhe më gjerë. Duhet ta dinë mirë se ndaj tyre më shumë se ndaj çdo kombi tjetër janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre. Ne festuam 100- vjetorin, por imagjinoni që paraardhësit nuk kishin shtet se një perandori që i kishte sunduar për 500 vjet donte t’i ndante, ndërsa fqinjët u vërsulën të tërbuar nën një aleancë të quajtur e shenjtë, që kishte si synim grabitjen e trojeve shqiptare dhe zhdukjen e trojeve shqiptare”, tha Berisha, raporton BalkanWeb.

Ai tha se PD-ja ka në vëmendjen e saj dhe do të ketë gjithnjë edhe çështjen e Kosovës, që sot është e lirë falë luftës së UÇK-së.

“Partia Demokratike mbështeti me të gjithë potencialin e saj burrin e madh, njeriun prej burrave më të rrallë të këtij kombi, presidentin Ibrahim Rugova, i cili një çështje, për të cilën shumë pak flisnin, ia doli me mençurinë e tij, me rezistencën e tij, me qëndrimin e tij ta çojë nga Prishtina në dhomën ovale të Bill Clintonit. Sot Kosova është e lirë, UÇK ka bërë luftën e fundit në Evropë. Shqiptarët qëndruan si komb i vetëm dhe në çdo rast do qëndrojnë si një komb me një qëndrim”, nënvizoi ai. /Telegrafi/