Site icon Telegrafi

Bëri pritje të jashtëzakonshme ndaj PSG-së, Lafont ndër të paktët që marrin vlerësimin maksimal nga L’Equipe

Paris Saint Germain ka pësuar një humbje befasuese të shtunën mbrëma në udhëtim te Nantes 3-1.

Skuadra vendase bëri një ndeshje të madhe, po padyshim ai që ra më shumë në sy ishte portieri Alban Lafont.

23-vjeçari bëri një paraqitje fantastike duke ndalur thuajse çdo goditje që vinte drejt portës së tij.

Lafont bëri tetë pritje ndaj parisienëve, përfshirë edhe penalltinë që e mbrojti përballë brazilianit Neymar.

Paraqitje e jashtëzakonshme e tij është vlerësuar edhe nga gazeta prestigjioze franceze L’Equipe.

Kjo gazetë e ka vlerësuar portierin francez me notë maksimale 10, notë që nuk ka mundur ta marrë çdo lojtar.

L’Equipe e ka dhënë notën maksimale vetëm 13 herë më parë dhe Lafont bëhet lojtari i 14-të që merr një vlerësim të tillë.

Nga futbollistët aktivë këtë vlerësim e kanë marrë vetëm Lionel Messi në dy raste, Robert Lewandowski, Carlos Eduardo, Neymar, Dusan Tadic, Lucas Moura, Serge Gnabry dhe Kylian Mbappe.

Sigurisht që paraqitje fantastike ndaj PSG-së do të bëjë që për Lafont të shprehin interesim skuadrat më të mëdha evropiane, pasi bëhet fjalë për një portier shumë të talentuar dhe me të ardhme të ndritur. /Telegrafi/

Exit mobile version