LAJMI I FUNDIT:

Berberi im shqiptar, Palushi

Berberi im shqiptar, Palushi

OK, kam qenë shumë negativ këto kohët e fundit. Vështirë të mos jesh me gjithë shoun e klounëve dhe sharlatanëve të Boris Johnsonit, që po afrojnë një katastrofë kombëtare. Por, sot kam një histori me një fund të lumtur për të ngrohur zemrat tuaja dhe për të treguar se kryeministrat nuk janë të gjithë njësoj dhe se politikanët mund të bëjnë një ndryshim. Fundi i lumtur trokiti fill pas mesnatës në orët e para të mëngjesit të së enjtes, me një tekst nga berberi im: “Ia dolëm”! Kur shkruaja në mesin e prillit për 20 gjërat që më munguan në periudhën e izolimit, lojërat e FC Burnley u radhitën në krye, por nuk ishin shumë larg tyre as udhëtimet në Francë, Shqipëri, Singapor, Australi dhe Nashville, të gjitha të shtyra ose të anuluara për shkak të Covid-19-shit.

Ndërkohë, në numrin 14 thuhej: “Berberi im shqiptar, Palushi në Malden Road”. Partnerja ime Fiona ka bërë një punë mjaft të mirë duke marrë parasysh që ajo kurrë më parë nuk kishte prerë flokë. Por ato, po rriten në një mënyrë shumë të çuditshme e të pabarabartë. Nuk kam qenë ndonjëherë i dhënë pas prerjeve moderne, dhe për vite me radhë Aleks Palushi, dyqani i berberit të të cilit është shumë pranë shtëpisë sime në Gospel Oak, në Londrën Veriore, e di se çfarë dua dhe atë bën. Kërkon më pak, unë i le më shumë.

Ne flasim kryesisht për futboll dhe politikë – ai një tifoz i pakënaqur i Arsenalit, unë një fanatik i Burnleyt. Ai e ndjek nga afër politikën shqiptare dhe e di që shkoj rregullisht në Tiranë për të këshilluar kryeministrin Edi Rama. Nuk është një tifoz i Boris Johnsonit apo Brexit-it, paralajmëroi për vite me radhë që Jeremy Corbyn nuk do të zgjidhej kurrë kryeministër dhe mendon se Keir Starmer e ka një shans. Atëherë kur thotë se “ia doli”, për çfarë e kishte fjalën? Pak më shumë se një javë më parë mora një mesazh prej tij ku më thoshte se i ati, që jeton në Shqipëri, ishte i sëmurë rëndë në spital. Aleksi kërkonte dëshpërimisht të shkonte në shtëpi, por shqetësohej për karantinën dhe nëse do të duhej të izolohej kur të mbërrinte atje, e kështu të mos ishte në gjendje të shihte babanë e tij.


Unë kontrollova dhe gjeta se Shqipëria, e cila e nisi karantinën që herët, tani po dilte prej saj. Deri këtu gjërat dukeshin mirë. Fluturimet, megjithatë, vështirë të arriheshin, ndaj Aleksi dhe I vëllai vendosën të udhëtojnë me makinë. E paralajmërove se mund ta kishte vështirë të kalonte në Francë, por i dëshpëruar për të parë të atin, u nis. Pa gëzim. E kthyen mbrapsht në kufi. Atëherë udhëtoi në veri, mori tragetin për në Holandë ku pati më shumë fat dhe prej andej udhëtoi në Gjermani, Slloveni dhe Kroaci, përpara se të arrinte në kufirin me Malin e Zi. Një Britanik i natyralizuar, Aleksi ka dhe pasaportë angleze. Na vjen keq, i thanë autoritetet e Malit të Zi, ju nuk mund të shkoni më tej – kufizimet Covid-19 (asnjë shenjë nga “rrethanat e jashtëzakonshme” të stilit të Dominic Cummings). Ai u përpoq t`i shpjegonte gjendjen e të atit, por përgjigja ishte: “Na vjen keq shoku, kompjuteri thotë jo.” Më telefonoi i dëshpëruar dhe unë i dhashë të provonte disa numra telefoni. Përmes internetit zbulova se ekziston një aplikacion përmes të cilit çdokush mund të kontaktojë direkt me ministrat e qeverisë shqiptare, t`i shpjegojë problemet e tij dhe çdo ministër ka një ekip që të ndihmojë në zgjidhjen e tyre.

Nëse e lexoni blogun tim, duhet ta dini se unë i kam kaluar ditët e fundit duke bërë një analizë të letrave thellësisht jo-praktike copy-paste të dërguara nga deputetët konservatorë zgjedhësve që shkruanin të ankoheshin për skandalin Johnson/ Cummings. Ju gjithashtu mund ta dini se kam qenë i shqetësuar në lidhje me formulimin robotik të përdorur nga ministrat tanë ditë pas ditë, teksa na thonë: “Mjerisht” iks persona (ende mirë në tre shifra) kanë vdekur dhe “mendimet dhe lutjet tona” janë me miqtë dhe familjet e tyre. Jo, ato nuk janë. Mendimet dhe lutjet tuaja janë për mbijetesën tuaj dhe, në rastin e Johnsonit, mbijetesën e Cummingsit, për të cilën të gjithëve na u tha se Dom e donte djalin e tij dhe se ishte koha për të ecur përpara.

Empatia, siç thashë në një shkrim që bëra për “The Standard” në fillim të kësaj krize, është më shumë se thjesht fjalë simpatie. Ajo lidhet me atë çfarë bën ti për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë për ndihmë. Aleksi rrahu telefonat, dhe provoi aplikacionin e gjashtë orë më vonë, një diplomat shqiptar po e kalonte nga kufiri kroat, përmes Malit të Zi e në Shqipëri.

Ata kishin vendosur se dy djem që udhëtonin nga Anglia për të parë një baba të sëmurë përbënin një bazë të mjaftueshme për ndihmë speciale. Zbulova gjithashtu se përveç aplikacionit, njerëzit kanë postuar nevojat dhe problemet e tyre në lidhje me Covid-19-shin në faqen e Facebook-ut të Edi Ramës dhe ai është përpjekur t`i zgjidhë me sa ka mundur, qofshin ato të vogla apo të mëdha. Dallimi në nivelet e empatisë mes një qeverie e cila i inkurajon njerëzit të kërkojnë ndihmë drejtpërdrejt nga ministrat (mënyra shqiptare) dhe ato të ministrave tanë të cilët na tregojnë me fjalë sesa të shkëlqyer janë teksa dështojnë në pothuajse në çdo aspekt të kësaj krize, është i thellë dhe i turpshëm. Në Shqipëri, 33 vetë kanë vdekur nga koronavirusi. Në Mbretërinë e Bashkuar, shifra zyrtarë është mbi 40 mijë por që realisht duket të jetë më shumë se 60 mijë dhe vetëm dje, 10 herë më shumë njerëz vdiqën nga Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar sesa kanë ndërruar jetë në Shqipëri gjatë gjithë krizës.

Sigurisht, Shqipëria është një vend shumë më i vogël, por ata u përballën me të njëjtat sfida si të gjithë, dhe janë shumë më afër Italisë e cila në një moment u duk si kryeqyteti evropian i Covidit-19-shit, derisa Johnson & co e djallosën punën këtej. Për këdo që I shkon në mendje të bëjë shaka me Shqipërinë, u them gëlltisni pak këtë: shkalla e tyre e vdekshmërisë për një milionë banorë është 11. E jona pothuajse 600. Ky është ai që Johnson e quan: “Sukses i dukshëm”. Kur Johnson ishte ende duke shtrënguar duart në spital dhe duke i nxitur njerëzit të shkonin në gara dhe ndeshje futbolli, Shqipëria ishte në izolim total, duke përfshirë shtetrrethimin nga ora një e drekës deri në pesë të mëngjesit, e ku vetëm një person për familje lejohej të bënte pazar.

Rama po më dërgonte foto të rrugëve boshe. Ai më çoi një titull të BBC-së për Boris Johnsonin duke thënë se shkollat do të qëndronin të hapura sepse “mbyllja e tyre mund të bënte më shumë dëm sesa mirë”, me mesazhin, “WTF! Zoti ju ndihmoftë nëse kjo është këshillat e tij shkencore. Italia u shkatërrua nga kjo qasje.”

Dy javë të shkurtër më vonë, situata në Shqipëri ishte mjaftueshëm nën kontroll aq sa Rama të dërgonte mjekë dhe infermierë në Itali, e në një sondazh të fundit, Rama u vu në krye të një analize të liderëve botërorë dhe mënyrës sesi ata kishin trajtuar krizën. Miratimi i tij prej 62.8 për qind ishte në kontrast me ata dy emra më të famshëm në fund – Trump, 28.9 për qind e Johnson 23.3 për qind. Unë e kam njohur Ramën prej vitesh dhe kam parë dikë që di të bëjë detyrën e kryeministrit. Unë e kam njohur Johnsonin për vite me radhë, dhe kam pare mjaftueshëm sa për të ditur se çfarë ai nuk mund të bëjë. Në fakt, po të mos ishte për zërin elegant dhe CV Eton / Oxford, nuk jam i sigurt nëse do të gjente punë si pastrues dyshemeje në dyqanin e Palushit, e lëre më pastaj të drejtonte njërin prej kombeve më të mëdha të botës!