Beqiri i kënaqur me fitoren: Duhet të jemi me këmbë në tokë

Pas fitores së madhe ndaj FCSB-së në Shkup, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, foli për paraqitjen e skuadrës dhe pritjet për ndeshjen e kthimit në Bukuresht, njofton Telegrafi.
“Jam i kënaqur me mënyrën se si luajtën djemtë. Ishin të përkushtuar, luftuan dhe respektuan planin taktik. Në disa momente treguam ndoshta më shumë respekt për kundërshtarin dhe bëmë disa gabime që mund të na kushtonin. Gjithsesi, kemi përballë një ekip shumë cilësor dhe kjo fitore është e rëndësishme, por është vetëm gjysma e rrugës".
"FCSB mbetet favorit, ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Na pret një ndeshje shumë e vështirë në Bukuresht, ku do të japim maksimumin. Shpresoj të shfaqim energji pozitive dhe nëse i shfrytëzojmë rastet, mund të arrijmë një rezultat historik,” u shpreh Beqiri pas ndeshjes.
Ndeshja e kthimit midis FCSB-së dhe Shkëndijës do të zhvillohet më 30 korrik në Bukuresht. Fituesi i këtij dueli do të përballet në raundin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve me më të mirin nga përballja Shamrock Rovers (Irlandë) – Qarabag (Azerbajxhan).
Suksesi eventual i Shkëndijës jo vetëm që do të ishte historik, por edhe do t’i garantonte klubit një “biletë” për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, një arritje e madhe për futbollin nga vendi ynë./Telegrafi/

















































