LAJMI I FUNDIT:

Belgjika shqyrton reduktimin e ditëve të punës

Belgjika shqyrton reduktimin e ditëve të punës

Qeveria federale në Belgjikë do të shqyrtojë një propozim për të zvogëluar ditët e punës nga 5 në 4 ditë në javë.

Propozimi i paraqitur nga politikanë dhe parlamentarë të orientimit liberal, parashikon që numri javor i orëve të mos ndryshojë, por të ulet vetëm numri i ditëve të punës.

Ata kërkojnë që orët javore të punës, të cilat janë 38 ose 40 orë në varësi të sektorit, të shpërndahen në 4 ditë. Propozimi i liberalëve mbështetet nga shumë parti politike.


Meyrem Almaci, kryetare e Partisë së Gjelbër në rajonin flaman të Belgjikës, shprehu mbështetje për propozimin.

“Në parim, ne besojmë se ky propozim është i mirë për lirinë e punonjësve, por natyrisht, vendimi duhet t’u lihet punonjësve”, tha Almaci, raporton AA.

Partia e Gjelbër kërkoi gjithashtu që mendimet e të gjithë partnerëve socialë, përfshirë sindikatat dhe punëdhënësit, të konsultohen para se të merret një vendim.

Sindikatat socialiste e kundërshtuan propozimin. Përfaqësuesit e sindikatës argumentojnë se jo vetëm ditët e punës, por edhe orët e punës të punonjësve duhet të shkurtohen.

Qeveria federale pritet javën e ardhshme të shqyrtojë se për cilët sektorë mund të zbatohet propozimi. /Telegrafi/