“Bekim hapi sytë”, Zogaj tregon debatin me Xhakën

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, mysafir është Bekim Zogaj – ish-gjyqtari i njohur ndërkombëtar, i cili për herë të parë ndan rrëfimin e tij të plotë: nga një futbollist i zakonshëm pa shumë perspektivë, në një nga emrat më të respektuar të gjykimit në rajon. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
Zogaj rrëfen se si ai asnjëherë nuk e ka fshehur faktin se është shqiptar në bashkëbisedim me lojtarët e tjerë.
“Unë gjithmonë kam komunikuar me futbollistët shqiptarë në gjuhën shqipe, nuk ka qenë diçka që e kam fshehur apo diçka e tillë, sepse e kanë ditur, kur shkoja në çdo stadium vinin lojtarët shqiptarë, përshëndeteshim, më respektonin e më thonin zviceranët pse të gjithë ty po të njohin”.
Ai në vazhdim tregon se si gjyqtar nuk ka qenë aq i rreptë, pasi siç shton ai, i ka kuptuar emocionet e lojës.
“Po normalisht që ka pakënaqësi pasi edhe ata janë profesionistë duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, domethënë kur ta shohin edhe ata të padrejtën, por unë i kuptoj emocionet, nuk kam qenë një gjyqtar apo asistent që nuk i ka kuptuar emocionet”.
“Për shembull kur vinte Taulanti dhe ma bënte Bekim hapi sytë ose diçka, ajo është pjesë e lojës”, rrëfen Zogaj.
Episodin e plotë me Bekim Zogajn mund ta ndiqni në RTV Dukagjini me fillim nga ora 17:10, si dhe në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/





















































