Pas pritjeve të gjata për rreth dy muaj, mesfushori Behar Maliqi, do të rikthehet nga lëndimi dhe do të jetë në fushë nga minuta e parë kundër prishtinasve.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Tribuna, trajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu.


“Mund të them se 90 për qind Maliqi do të luaj nga minuta e parë. Kuptohet që ai nuk e ka formën që e ka pasur, por ka treguar shenja që është i gatshëm të luaj. Ne kemi edhe mungesën e Zhdrellës në mesfushë dhe Maliqi duhet të luaj kundër Prishtinës”, tha Sejdiu.

Rikthimin në fushë të shtunën e ka pohuar për Gazetën Tribuna edhe Behar Maliqi.

Ai ka shtuar se është i gatshëm të rikthehet për t’i ndihmuar bashkëlojtarët.

“Po, mirë është ka shkon deri me tani. Besoj që trajneri do të vendos a do të luaj nga minuta e parë apo jo”, tha Maliqi.

Lojtari kryesor i “Niklit” foli edhe për ndeshjen kundër Prishtinës.

“Dihet që e kemi kundërshtarin e fortë dhe mungesat që kemi do të vërehen. Por, ne jemi munduar gjithmonë që mos mu var prej individëve, por të jemi ekip kolektiv, gjë që e kemi dëshmuar disa herë. Besoj që edhe kësaj radhe edhe pse me mungesa të mëdha, do të arrijmë një rezultat pozitiv”, tha Maliqi.

Behar Maliqi u lëndua në kuadër të javës së 4-të, në duel me Gjilanin, takim që “Nikli” e humbi 1:0.
Ai kishte zgjatur ligamentet, por për fat të tij, nuk ka pasur nevojë që të hyjë në operacion, por lëndimin e ka kaluar me terapi.

Ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës, do të luhet të shtunën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas dhe nis në ora 14:00.
 

telegrafi sport app