Telegrafi

Barcelona gjen zëvendësuesin e Cancelos për krahun e djathtë

Barcelona i ka befasuar të gjithë me një lëvizje të papritur në pjesën e fundit të tregut të transferimeve.

Marc Pubill, mbrojtësi i djathtë i Almerías , është shfaqur si një opsion kyç për të përforcuar mbrojtjen e Barçës, duke u bërë objektivi kryesor për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Edhe pse Jules Kounde është vendosur si mbrojtës i djathtë dhe Hector Fort po pret mundësinë e tij në ekipin e parë, ardhja e mundshme e Joao Cancelo, i cili po dilte si i zgjedhuri për të përforcuar krahun, është lënë në hije nga shfaqja e të riut Pubill.

Operacioni për Cancelo, i cili ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2027 dhe tashmë ishte i huazuar te Barça sezonin e kaluar, dukej i sigurt.

Megjithatë, emri i Pubill, një mbrojtës 21-vjeçar i lindur në Terrassa dhe i rritur te rivali i Barcelonës, Espanyoll ka filluar të marrë formë.

21-vjeçari ka pasur një sezon shumë të mirë me Almerian në La Liga, derisa shkëlqeu edhe në Lojërat Olimpike me Kombëtaren e Spanjës ku fitoi medaljen e artë.

Pubill ishte shumë pranë Atalantës, megjithatë në fund në testet mjekësore dështoi, me klubin italian që kërkonte diçka shtesë.

Barcelona tani po e sheh të riun si investim për të ardhmen dhe në rast se arrihet ai atëherë do të heqin dorë nga Joao Cancelo.

Për ta bindur Almerian të heqin dorë nga ylli i tyre, katalunasit duhet të paguajnë 15 milionë euro për reprezentuesin spanjoll. /Telegrafi/