LAJMI I FUNDIT:

Barbarët në internet

Etiketojnë, stigmatizojnë, paragjykojnë, fyejnë, largojnë tjetrin nga vetja, sikur ky të ishte nga një planet tjetër. Flasin në mënyrë pezhorative për njëri-tjetrin, mundohen ta baltosin, ta nxijnë tjetrin, i hedhin faj atij tjetrit, alienit. E akuzojnë njëri-tjetrin për gjendjen ku jemi tash, duke aluduar qartë se jeta do të ishte shumë më e mirë pa tjetrin. Këto fjali do të ishin të denja për të treguar marrëdhënjen “interaktive” të armiqve të mëdhenj që ka kjo botë. Megjithatë, po ju zhgënjej që në fillim: kështu bëjnë në internet komentuesit “qytetarë” dhe “katundarë” në portalet e Kosovës.

Është humbje kohe dhe nënvlerësim i vetvetes, po të kalosh minuta në leximin e komenteve në portalet tona online (të gazetave ditore dhe gjetiu). Ka probleme të hatashme në qasjen e komentuesve – shumicën e rasteve nuk flitet fare për temën e shkrimit, por për autorin dhe “fajet” që ai ka ose mund të ketë. Ekzistojnë humnera të mëdha gjuhësore – shumica ekstreme e komentuesve nuk kuptohen krejtësisht se çka thonë. Mirëpo, ajo çfarë më ra në sy, një ditë kur bëra “haram” një pjesë të kohës shumë të çmuar të kësaj jete dinamike, ishte mosdurimi dhe urrejtja, e shprehur hapur, e disa komentuesve që veten e quanin “qytetarë” dhe e disa të tjerëve, që nënkuptoheshin si “katundarë”. Kjo, më grishi, që për disa ditë të lundroj nëpër shumë artikuj portalesh dhe ajo çfarë zbulova ishte më shumë se skandaloze. Ishte e mjerë, e jashtëkohshme, e dëmshme dhe e pakuptueshme për një mendje dhe për një sy që shikon kalendarin dhe sheh se jemi në shekullin XXI.


Pavarësisht nga tema e artikullit, komentuesit fillojnë t’i japin “opinionet” e tyre, me një gjuhë të zhveshur nga çdo kod komunikimi normal, të larguar aq shumë nga çdo kulturë mirësjelljeje dhe me një gjuhë që moti ka mërguar nga morali i shoqërisë së shëndoshë. Me një arrogancë false dhe me një fodullëk primitiv komentuesit më pak shikojnë në shkrim, e më shumë në paragrafët e mjerë të njëri-tjetrit.

“Qytetarët” sulmojnë “katundarët” se është faji i këtyre të fundit pse e kemi këtë dhe atë gjendje. Gjithçka e keqe, thonë akuzuesit, ka ardhur nga dyndja e “opingave” në qytet dhe në vendimmarrje, pasi që më parë gjithçka ishte ndryshe (sic!). Katundarët, në komentet e këtyre zotërinjve, na qenkan aq poshtë, aq të pagdhendur, aq të paqytetëruar, sa që më mirë do të ishte sikur të ktheheshin në “shpellat” e tyre dhe t’i lënë këta të qetë. Ata shkojnë edhe më larg, duke shprehur haptas simpatinë për kohën e mëparshme, edhe me çmimin që dikush tjetër ka qenë duke e sunduar këtë vend.

“Katundarët” ua kthejnë më të njëjtën monedhë. Sheherlitë, thonë ata, nuk meritojnë asnjë fryt të lirisë, sepse derisa në katunde luftohej, në qytete (sidomos në kryeqytet, klithin ata), njerëzit pinin kafe të qetë. Katundarët thonë se sheherlitë nuk e kanë ndihmuar ardhjen e lirisë dhe kështu që, nuk meritojnë më shumë se “bankën rezervë” në përfaqësimin e shoqërisë sonë. Komentuesit “katundarë” e ngrisin veten në qiell me trimëritë që i paskan bërë duke ua mohuar këto komentuesve “qytetarë”, të cilët i etiketojnë si pa potencial për ndërmarrje të tilla.

Dhe krejt këto, kur artikulli i komentuar nga këta “esnafë” dhe nga këta “micsokola” nuk ka lidhje me këto gjëra dhe as që përpiqet që të tregojë kush ka më shumë merita për ditën e sotme (edhe ashtu, kjo ditë nuk është aq e ndritur). Në këtë mënyrë, shkrimet e sotme online, pa marrë parasysh temën, aktualitetin dhe porosinë që tentojnë të përqojnë, po bëhën arenë e luftimit për njerëz që, në asnjë rrethanë, nuk janë në gjendje të krijojnë diçka të veten. Arenë, sikur kujtojnë ata, e afirmimit të tyre, e afirmimit të vetëm në këtë jetë.

Unë, që i dua, nderoj, çmoj dhe admiroj qytetarët dhe katundarët e Kosovës; që nuk shoh dallime, ndryshime e kufij mes njerëzve që jetojnë këtu bashkë me vlerat e larta që kanë ndërtuar me shekuj; që shoh sheherlitë e këtij vendi duke krijuar vlera dhe duke përcjellur virtyte shumëshekullore nën këtë diell; që i shoh katundarët e këtij nënqielli të jetojnë me dinjitet në traditën e tyre të pasur dhe të krijojnë përditë një civilizim (që është qytetërim), që i mahnit edhe vizitorët e vendeve shumë të përparuara, unë nuk i kuptoj këta komentues. Nuk e kuptoj as tendencën e tyre të mjerë, për të ndarë, izoluar dhe hedhur mënjanë copa të trungut tonë, duke e treguar njërën më të mirë se tjetrën.

Vetëm një gjë e kuptoj: këta komentues “vigjilentë”, që përditë mprehin pendën e tyre për të nxirë në fletën e bardhë, nuk janë as “qytetarë” e as “katundarë”. Për ta përdorur një metaforë, këta komentues janë barbarë. Prapë metaforikisht, ata nuk kanë vullnetin, energjinë dhe këmbënguljen për të qëndruar mbi plug dhe t’i shohin frytet e punës së tyre. As kanë erudicionin, kthjelltësinë, tolerancën për diversitetin dhe elanin për të tentuar drejt vizioneve, vlerave dhe virtyteve të larta, që qytetarët tanë moti i kanë përvetësuar. Kur rastisin të jetojnë në fshat, tipat sikur komentuesit “tanë” shikojnë me arrogancë qytetarin dhe kur jetojnë në qytet, shprehin haptas përçmimin për fshatarin. Në të dy rastet, tregojnë mungesë elementare të kulturës së tyre civilizuese.

Prandaj, njerëz të mirë të Kosovës, nëse etiketoheni ndonjëherë, jashtë kontekstit gjeografik, me mbiemra të tillë si “katundarë” ose “qytetarë”, ta dini se etiketuesit janë ende barbarë. Sikur hordat mongole të mesjetës së errët, që digjnin e zhduknin qytetet e fshatrat nga faqja e dheut, ky soj barbarësh nuk kanë forcë që të ndalen, nguliten, thellohen dhe të krijojnë vlera civilizuese. Të dehur në injorancën e tyre, pa adresë, ata humbin në stepat e pakultivuara e të pakultivueshme dhe nën tymnajën që vetë e shkaktojnë, veniten e zhduken.

Në trend

Më shumë
Mike Tyson jep parashikimin për luftën Fury-Usyk dhe bën një pretendim të guximshëm

Mike Tyson jep parashikimin për luftën Fury-Usyk dhe bën një pretendim të guximshëm

Boks
Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK jep detaje nga Plani i veprimit

Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK jep detaje nga Plani i veprimit

Lajme
Zbulohen emrat e pesë lojtarëve të Barcelonës të “keqtrajtuar” nga Xavi

Zbulohen emrat e pesë lojtarëve të Barcelonës të “keqtrajtuar” nga Xavi

La Liga
Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Boks
Dështimi për anëtarësim në KiE, Haradinaj: Betejën e patëm humbur edhe në UNESCO dhe INTERPOL - jemi në rrethana të rënduara gjeopolitike, jo në vitin 1999 e 2008

Dështimi për anëtarësim në KiE, Haradinaj: Betejën e patëm humbur edhe në UNESCO dhe INTERPOL - jemi në rrethana të rënduara gjeopolitike, jo në vitin 1999 e 2008

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Kalo në kategori