LAJMI I FUNDIT:

Baraliu: Heqja e taksës ka qenë kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së, Qeveria nuk duhet të ngutet në vendimet e saj

Baraliu: Heqja e taksës ka qenë kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së, Qeveria nuk duhet të ngutet në vendimet e saj

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka thënë sot se është kundër reciprocitetit, masë kjo që ka paralajmëruar ndaj Serbisë, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përmes zëdhënësit të tij, Dick Custin, Grenell tha se Kosova duhet ta heqë taksën 100% mallrave të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

Në lidhje me këtë deklaratë, analisti Mazllum Baraliu ka thënë për Telegrafin se kjo është një kërkesë e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se edhe SHBA-së, por edhe Bashkimit Evropian po iu ngutet  të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.


“Është kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së, në një mënyrë apo tjetër që taksa të hiqet. Në disa raste kishte edhe variacione të tjera, që të zëvendësohet, por, ishte kërkesë e tyre që të largohet taksa, kjo për shkak se edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimit Evropian po i ngutet, po duan që të nxitojnë me dialogun, ata i kanë arsyet e veta pse po e bëjnë këtë”, tha Baraliu.

Baraliu tha se vendimet e Qeverisë Kurti nuk duhet të jenë të nxituara, as në heqje të taksës, por as në vendosje të reciprocitetit, sidomos në këtë të parën që Baraliu e vlerëson si mjet të dëshmuar kundër Serbisë.

“Me gjithë respektin që kam, do të duhet që Qeveria e re të mos nxitojë në asnjërin veprim, as me heqjen e taksës, por as me vendosjen e reciprocitetit. Taksa nuk mund të hiqet, sepse është dëshmuar si i vetmi mjet efikas ndaj Serbisë, sepse Serbia e ka trajtuar Kosovën si tregun e saj. Ka keqpërdorur tregun dhe na ka sjell në gjendje të palakmuar. Insistimi është normal, por unë mendoj se duhet të ketë maturi të madhe, duhet të bëhet analiza dhe të shihen të gjitha anët negative. Si mund të themi se ka reciprocitet kur ata sjellin me miliona e miliona euro mallra, ndërsa ne kemi pak mall që dërgojmë në Serbi. Duhet të diskutohet shumë, pastaj duhet të shkohet në dialog i përgatitur mirë, me një platformë e cila do të kishte kërkesa konkrete”, u shpreh Baraliu.

Sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorolli përkufizimi më i specializuar i reciprocitetit në kuptimin e të drejtës ndërkombëtare, nënkupton që një shtet i caktuar, i bën koncesion të ndërsjellë epërsive dhe privilegjeve për qëllime të marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike shtetit tjetër të caktuar.

Por, ky parim i reciprocitetit, sipas tij, vlen edhe në kuptimin negativ.

Qorrolli thotë se reciprociteti është një koncept praktik dhe është veprim ekuivalent dhe i cili varet nga një veprim ose reagim i një shteti tjetër. Në shembullin konkret Qorroli thotë se Serbia, në këtë rast, nuk i lejon shtetasit e Kosovës që të hyjnë brenda territorit të saj me tabela veturash me regjistrim të Republikës së Kosovës, atëherë edhe Kosova i përgjigjet me të njëjtën monedhë, pra, nuk i lejon tabelat me regjistrim të Serbisë që të hyjnë në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/