Site icon Telegrafi

“Banjska të mos përsëritet, ta luftojmë nëse ndodh sërish” – deklarata e ministrit Cameron, arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së nga Serbia dhe përleshja në Merdar – lajmet e javës

Javën që po lëmë pas për vizitë në Kosovë ishte ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron i cili ishte i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij dhe ofroi mbështetjen britanike për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Po javën që po lëmë autoritetet serbe në Merdar arrestuan ish-ushtarin e UÇK-së, Hasan Dakaj.

Ndërkaq, në këtë pikë-kufitare në Merdar, pati edhe një përleshje mes Policisë së Kosovës dhe disa personave të cilët po ktheheshin në vendet ku punojnë dhe kjo për shkak të kolonave të gjatë të krijuara.

Cameron: Stabiliteti e siguria në Kosovë është interes i drejtpërdrejtë kombëtar britanik, për këtë jam këtu

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, gjatë qëndrimit në Kosovë ka thënë se ajo që ka ndodhur në Banjskë, është mjaftë shqetësuese.

Ai theksoi rëndësinë e asaj që duhet bërë gjithçka për të parandaluar përsëritjen e asaj ngjarjeje.

“Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri”, u shpreh ai.

Diplomati britanik shtoi se Kosova është shtet sovran i pavarur që dëshiron stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe se Britania po ndihmon me të gjitha për të krijuar stabilitet.

Lexo po ashtu Cameron viziton trupat britanike të KFOR-it, i falënderon për përkushtimin e tyre në mbështetje të sigurisë në Kosovë dhe rajon

“Stabiliteti në Ballkan dhe siguria në Ballkan, dhe ndalimi i atyre që dëshirojnë të shkaktojnë destabilitet dhe të krijojnë probleme është në interesin direkt kombëtar të Britanisë dhe prandaj jam këtu, për të falënderuar trupat tona për punën që bëjnë dhe për të punuar me Qeverinë e Kosovës për t’i ndihmua ata me agjendën e tyre duke njohur faktin se ata janë një shtet sovran që meritojnë mbështetjen tonë derisa ata përpiqen për siguri dhe sukses”, ka deklaruar Cameron.

Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.

“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.

“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, është shprehur sekretari i jashtëm britanik.

Ai ka falënderuar trupat britanike për punën që bëjnë në Kosovë.

“Kosova është një vend i pavarur e sovran që meriton mbështetjen tonë derisa ata duan siguri dhe prosperitet”, shtoi Sekretari i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Një ish-pjesëtar i UÇK-së arrestohet nga autoritetet serbe në Merdar

Hasan Dakaj nga Prizreni, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar mëngjesin e së premtes nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar në Merdar.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Xhevdet Smakiqi, i cili ka thënë se është autorizuar nga familja Dakaj që t’i mbrojë të drejtat ligjore të familjarit të tyre.

Ai tutje ka bërë të ditur se Dakaj është arrestuar derisa po udhëtonte me vëllain e tij drejt Italisë dhe sipas tij, arsyeja e vetme është se i njëjti ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

“Sot jam autorizuar nga familja Dakaj nga Prizreni që të mbroj të drejtat ligjore të familjarit të tyre, Hasan Dakaj, i lindur me 10.08.1980 nga Prizreni i cili veç se ka qenë pjesëtar i UÇK-së është arrestuar në Merdar rreth orës 09:00 të mëngjesit derisa po udhëtonte me vëllain e tij drejt Italisë”, ka shkruar Smakiqi në Facebook.

Lexo po ashtu MPJD u bën thirrje ndërkombëtarëve që Serbia ta lirojë ish-pjesëtarin e UÇK-së, Hasan Dakaj

Ai tutje ka thënë se familja Dakaj është nën frikë dhe ankth të madh pasi që sipas informacioneve të para, familjari i tyre nga policia serbe është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Kushumli dhe mund t’i nënshtrohet torturave fizike e psikike.

“Unë menjëherë do të ndërmarr veprime duke ushtruar kërkesë pranë MPJD-së që të interesohet për fatin e shtetasit të Kosovës Hasan Dakaj, i arrestuar sot në mëngjes në Merdar nga policia serbe vetëm pse ka qenë ish-pjesëtar i UÇK-së”.

“Si avokat i familjes Dakaj i bëj thirrje urgjente MPJD-së që përmes kanaleve diplomatike, të kërkojë lirimin e Hasan Dakaj dhe t’i lejohet lëvizja e lirë sikurse çdo shtetasi të Kosovës pa diskriminim”,   ka shkruar avokati.

Personat që sulmuan policinë në Merdar, dy shtetas nga Kosova dhe një i Shqipërisë lirohen në procedurë të rregullt

Dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes fizike, e cila ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në Merdar.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka thënë për Telegrafin se rreth orës 10:00 në këtë pikëkalim kufitar ka ndodhur një incident, ku patrulla e policisë është sulmuar nga persona të dyshuar.

“Në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policorë”, ka thënë Ahmeti.

Ajo tutje ka bërë të ditur se pas vënies nën kontroll të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.

Lexo po ashtu Përleshje mes qytetarëve dhe policisë në Merdar, shkak tejkalimi i kolonës

Ndërkaq, sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës tre persona janë arrestuar pasi kanë sulmuar zyrtarët policorë të cilët ndaluan dy vetura që kishin tejkaluar kolonën derisa prisnin për të kaluar kufirin.

Tutje në raport bëhet e ditur se pas intervenimit të policisë, për parandalim të tejkalimit dhe kërkesës për kthim në kolonë, tre persona të dyshuar nuk kanë zbatuar udhëzimet zyrtare dhe kanë sulmuar zyrtarët policorë.

“Lidhur me rastin situata është vënë nën kontroll, dhe personat e dyshuar dy kosovarë dhe një shtetas i Shqipërisë janë shoqëruar në stacionin policor”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në konsultim me prokurorin, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version