Site icon Telegrafi

Ballkani sjell Evropën në Kosovë, Armend Thaqi në një intervistë për mediumin Goal: Krenar që po shkruajmë historinë

Për herë të parë një klub kosovar po garon në fazën e grupeve të një gare evropiane dhe mbrojtësi Armend Thaqi në një intervistë për Goal, ka thënë se: “Ëndrra është bërë realitet”.

Një ëndërr e quajtur Evropë. Ballkani arriti ta realizojë. Një gol që shkon përtej fushës së gjelbër të lojës dhe topit që rrotullohet, por që përfaqëson një tjetër objektiv të madh të arritur nga një popull që dëshiron të bëhet i njohur dhe të ngrejë flamurin e tyre në hartën e ‘kontinentit të vjetër’ edhe falë futbollit, shkruan Goal.com.

Ballkani është skuadra e parë kosovare që ka fituar qasje në fazën e grupeve të një gare evropiane. Pasi u promovua në elitë pesë vjet më parë, në fund të sezonit të kaluar, klubi nga Suhareka, një qyet i vogël me 10 mijë banor dhe 57 kilometra larg Prishtinës, arriti të fitojë titullin e parë në historinë e tij.

Pastaj gëzimi i madh evropian: kalimi për grupet e Ligës së Konferencës.

U eliminuan nga lituanët e Zalgiris në raundin e parë preliminar të Ligës së Kampionëve, por Ballkani pastaj mposhti La Fioritan, një klub nga San Marino. Pas tyre ishte radha e Klaksvik, klub nga Ishujt Faroe dhe në fund Shkupi, duke u bërë klubi i parë nga Kosova për t’u kualifikuar në fazën e grupeve.

“Jo vetëm për mua, por për të gjithë futbollin e Kosovës: të luash në fazën e grupeve ishte një ëndërr që është ndjekur gjithmonë. Është çmimi për futbollin tonë, i cili ka formuar dhe trajnuar shumë lojtarë të nivelit të lartë që luajnë në liga të mëdha si Serie A dhe La Liga”.

“Klubi ynë dhe tifozët tanë marrin pjesë për herë të parë në garat evropiane: ky është një rezultat historik. Është nder që Ballkani dhe Xhebrailat (tifozët) po shkruajmë historinë. Kjo na bën të gjithëve krenarë”, ka thënë për GOAL, Armend Thaqi.

Debutimi në Evropë tashmë ka ardhur, si në shtëpi ashtu edhe jashtë saj. Barazimi ndaj Cluj në debutimin e tyre të parë, para humbjes 3-2 në Pragë ndaj Slavias në një ndeshje të vështirë.

Goal.com tregon tmerret që përjetoi qyteti i Suharekës gjatë luftës


Në shtëpi, por larg Suharekës, një vend që ka ende pasojat nga tmerret e luftës në Kosovë. Gjatë konfliktit, pikërisht më 26 mars 1999, policët serbë masakruan 48 persona, mes të cilëve 14 nën moshën 15 vjeçare, 46 prej tyre nga familja Berisha.

Viktimat u mbyllën në një piceri ku u hodhën granata dore. Para se t’i nxirrnin kufomat nga piceria, policia dyshohet se ka qëlluar këdo që kishte ende shenja jete. Trupat e viktimave më vonë u transportuan në Serbi dhe u varrosën në varre masive pranë një stacioni policor në Batajnicë, afër Beogradit, të cilat u zbuluan tre vjet më vonë. Rasti i parë i krimit të luftës në Serbi u zbulua pas vdekjes së Slobodan Milosevicit.

Stadiumi “Fadil Vokrri” dhe frymëzimi që kanë lojtarët nga Kosova prej tij

Sot Ballkani po e kthen në realitet ëndrrën e klubit dhe tifozëve të tij hap pas hapi. Stadiumi i Suharekës mund të mbajë maksimumi 1500 tifozë, prandaj skuadra e Ilir Dajës i luan ndeshjet evropiane si vendas në Prishtinë, në stadiumin që mban emrin e Fadil Vokrrit, ish-president i federatës. Vdekja e tij në vitin 2018 nga një sulm në zemër la një plagë të thellë në komunitetin e futbollit kosovar, shkruan Goal.com.

“Fadil Vokrri është frymëzim, një person që gjatë gjithë jetës së tij ka punuar shumë dhe ka luftuar për futbollin tonë dhe për ta bërë atë të njohur nga FIFA dhe UEFA. Ne që kemi pasur fatin ta njohim atë, e kujtomë për kokëfortësinë që ka pasur në zhvillimin e futbollit tonë. Ai do të mbahet mend gjithmonë dhe do t’u tregojmë të rinjve se kush ka qenë Fadil Vokrri. Do ta nderojmë jetën dhe karrierën e tij me suksese dhe kulturë sportive sa herë të dalim në fushë”, ka thënë Thaqi.

Debutimi i Ballkani dhe kampionati 

8 shtator 2022. Një datë historike për Ballkanin dhe për futbollin kosovar. Dita e debutimit zyrtar në një garat evropiane. Në Prishtinë, në tokën e tyre, para fansave të tyre.

“Është nder për mua të jem kapiten i kësaj skuadre. Pas kualifikimit në fazën e grupeve, ne u stërvitëm për të hequr të gjithë presionin, prandaj luajmë me qetësi. Unë u thashë bashkëlojtarëve para ndeshjes se kemi arritur një moment historik, por pavarësisht kësaj, ne nuk kemi kohë për të qenë të vetëkënaqur. Duhet të bëjmë gjithnjë e më shumë, sepse ky ekip mund të bëjë edhe më mirë: kjo është parë në ndeshjet që kemi luajtur”, deklaroi Thaqi për mediumin e njohur në versionin italian.

Vetë Thaqi shënoi golin që i mundësoi Ballkanit të fitojë pikën e parë historike në Evropë, pikërisht ndaj Cluj.

Një rezultat i pabesueshëm për klubin që u themelua pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947, me emrin Rinia, para se të ndryshonte emrin në vitin 1965.

Shumë vite në ligat e ulëta, para debutimit në ligën kosovare në vitin 1974. Më pas vendimi në vitet e 90-ta për të vazhduar mospjesëmarrjen në garat e ish-Jugosllavisë për të krijuar kampionatin kosovar, që nuk u njoh nga FIFA dhe UEFA. Në vitin 2008, vit i pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Ballkani iu bashkua zyrtarisht elitës së futbollit të vendit të tyre.

Sezoni 2016/2017 paraqet një moment historik, po ashtu dhe mbi të gjitha falë Vokrrit, FIFA dhe UEFA kanë zyrtarizuar hyrjen në garat ndërkombëtare të FFK-së, tashmë të njohur nga 100 shtete.

“Ne kemi përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme që kur arritëm këtë arritje historike. Jemi krenarë që e bëjmë këtë për atë që është vendi më i bukur në botë. Përtej futbollit, ekipi ynë po tregon se meritojmë më shumë respekt për atë që po tregojmë në fushë”, ka përfunduar Thaqi.

Në gjashtë vite, kampionati ka parë pesë fitues të ndryshëm. I fundit është Ballkani, i cili pas fitimit të titullit kombëtar, i ka zgjeruar kufijtë e futbollit të Kosovës drejt horizonteve të reja.

Kualifikimi i parë, goli i parë dhe pika e parë, por nuk dëshirojnë të ndalet me kaq, siç thotë edhe Armend Thaqi. /Telegrafi/

Exit mobile version