LAJMI I FUNDIT:

Ballkani si tokë rivaliteti fuqish të mëdha

Ballkani si tokë rivaliteti fuqish të mëdha

Në Prishtinë u zhvillua takimi i ministrave të Jashtëm dhe Transportit të vendeve ballkanike, me praninë e Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Johannes Hahn. Takimi, premtimet e dhëna për akordimin e 180 milionë eurove për projektet e para të gatshme dhe akordimi i deri një miliard eurove të tjera për projekte infrastrukturore është një lajm i madh për Ballkanin. Ndaj takimi i Prishtinës nuk mund të trajtohet si çdo takim tjetër rutinor mes vendeve të këtij rajoni, të cilat kanë lënë pas një të kaluar konfliktuale jo shumë të largët.

Zhvillimi i këtij takimi në Kosovë si pjesë e procesit të Berlinit ka të nënkuptuar më së pari pranimin e sovranitetit apo edhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe kjo është e arritura e parë, megjithëse jo më e rëndësishmja e këtij takimi, që u vu re nga dinjiteti i flamurit të Kosovës, polifotoja ministrore dhe shumë elemente të tjera jo thjesht protokollare. Ndërkohë, nëse flasim për vlerën e këtij procesi në raport me iniciativat e mëparshme rajonale, gjithashtu me karakter periodik, do të evidentonim tri risi.


E para: në ciklin e takimeve të mëparshme të vendeve të rajonit, nuk prodhohej asgjë, përveç deklaratave të përbashkëta, ku madje kishte dhe debat për tekstin përfundimtar. Sot kemi një tutorat apo udhëheqësi të procesit nga një vend i fuqishëm jashtë rajonit si Gjermania. Pavarësisht se takimet rotative mund të zhvillohen në Vjenë apo gjetkë në rajon, ky proces u shënjua në histori si procesi i Berlinit dhe kjo nuk ndryshon më. Këtyre takimeve, kësaj dëshire të vendeve të rajonit për bashkëpunim me hir ose me pahir, i është bashkëngjitur edhe një lloj tutori, mbrojtësi, si Gjermania, e cila njihet për seriozitetin e vet në marrëdhëniet ndërkombëtare, për ndihmën bujare që ka dhënë në rajon. Dhe kjo është risia e parë pozitive. Nëpërmjet procesit të Berlinit që në Prishtinë pati stacionin e radhës, ky tutorat shfaq një element tjetër pozitiv. Ai nuk vjen më nga një vend tjetër i rajonit që është anëtar i BE-së, ta zëmë Greqia që po përpëlitet pas harxhimeve megalomaniake për ta luajtur këtë rol në fillim të viteve 2000, Sllovenia apo Kroacia, por nga një shtet i madh si Gjermania.

Elementi i dytë është fakti se ky proces ka një komponent të fortë zhvillimor, në mënyrë të veçantë infrastrukturor, ndërlidhës mes vendeve, sepse është kuptuar më në fund se prodhimi i interesave të përbashkët ekonomikë është rruga më e mirë për të qetësuar të gjithë ata shpirtra nacionalistë të vendeve të rajonit. Rritja e komunikimit automobilistik, të njerëzve, mallrave, kapitaleve, është një lloj ilaçi për problemet më të vjetra të Ballkanit. Pra, nëse vendeve të rajonit i ofron para për një projekt infrastrukturor të përbashkët, për një rrugë a diçka tjetër, udhëheqësit e këtyre vendeve në emër të parave, mundësive për punësim, për zhvillim, harrojnë apo zbusin retorikën nacionaliste që e kanë për konsum të brendshëm.

Në takimet e Brukselit midis Serbisë dhe Kosovës, e vetmja gjë për të cilën kryeministrat e palëve respektive u morën vesh pa debat, ishte financimi i rrugës Prishtinë-Nish. Prej atyre që janë ideatorët dhe organizatorët e procesit të Berlinit, më saktësisht gjermanëve, është parë që këto projekte krijojnë atë frymën e nevojshme të bashkëpunimit real, konkret dhe i afrojnë më shumë këto vende me BE për shkak të standardeve që imponohen dhe frymës së bashkëpunimit, zvogëlimit të fërkimeve rajonale, parakusht i integrimit.

Ky proces është kështu një lloj mirazhi i integrimit të vërtetë të rajonit të Ballkanit në BE, i cili është ngrirë, siç e dimë, në 5 vjetët e ardhshëm. Për të qetësuar sedrën e tyre, inkurajuar aspiratat properëndimore të shoqërie ballkanike, për të shmangur ndryshimet e kursit gjeopolitik kryesisht të vendeve sllave, po ofrohet një karotë ekonomike, e cila kësaj here vjen nga Perëndimi. Në përpjekje për të zvogëluar simbolikën e trashëgimisë së dhimbshme të së shkuarës, por edhe për të potencuar lidhjen me Perëndimin, kësaj pjese të Ballkanit Bashkimi Europian i referohet tanimë si Ballkani Perëndimor. Vetë konferenca u quajt “Ballkani Perëndimor 6”. Në këtë aktivizëm, në vetë të parë të Gjermanisë në veçanti dhe të Unionit në përgjithësi – rastësisht Komisioneri për Zgjerim është austriak – ndihet një përpjekje për të kontrastuar ndikimin rus apo atë kinez që po shfaqet në oborrin më të afërt të BE-së, që është Ballkani.

Rivaliteti i shtuar së fundmi apo konkurrenca e fuqive të mëdha të vendosjes, BE-së, Rusisë dhe Kinës, për të kontrolluar këtë oborr, rrugët e rëndësishme të komunikimit botëror – gaz, naftë, hekurudha etj.,- për të zvogëluar ndikimin e njëri-tjetrit, bëri me gjasë që menjëherë pas takimit të Beogradit të vijonte ky takim i Prishtinës, ku kishte premtime konkrete për mbështetje ekonomike. Pavarësisht diferencës në nivelin protokollar të përfaqësimit midis takimit të Beogradit dhe këtij të Prishtinës (në Beograd ishte Presidenti kinez dhe homologë të tij), shpejtësia në reagim dhe konkretësia e takimit të fundit e qartëson dëshirën europiane për të mos u parakaluar nga kinezët.

Qasja gjermane në këtë proces na kujton atë që zhvillohet në një klasë ku ka nxënës të dobët, që merren në ngarkim nga një nxënës më i mirë ose edhe nga një mësuese kujdestare. Atyre i ofrohen edhe premio për ato që sillen më mirë, kanë rezultate më të larta, apo edhe që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Gjermania është një vend i njohur për konkretësinë e vet në sjelljen shtetërore, refleks i mentalitetit të tyre kombëtar. Qëllimi i Gjermanisë nuk ka qenë të shtojë një iniciativë tjetër paralele me ato të shumtat me karakter protokollar që ekzistonin më përpara, por është për t’i dhënë një dimension konkret bashkëpunimit – prodhim interesash të përbashkët ekonomikë dhe financiarë, të cilët bëjnë që të amortizohet çdo lloj fërkimi nacionalist midis vendeve të rajonit.

Kush më shumë se Gjermania mund ta luajë këtë rol garantues, nxitës, tutoral kundrejt vendeve të Ballkanit, për shkak të historisë së vet, reputacionit pozitiv dhe faktit që Gjermania sot është lokomotiva e Bashkimit Europian! Nuk ka diskutim se në projektet ekonomike që pritet të ofrohen në takimin e ardhshëm të Vjenës, mund të ketë dhe preferencialitet gjerman për krijimin e rrugëve që favorizojnë turizmin gjerman, që sigurojnë gjallërim të kompanive gjermane në rajon, por dhe ky është element pozitiv gjithashtu.

Pikërisht ky element e qartëson atë që është qëllimi më i madh i procesit të Berlinit: kundërvënia ekonomike, politike ndaj avancimit të axhendave jo thjesht ekonomike të Kinës dhe Rusisë në Ballkan, diçka që është sa konflikt i ri, aq dhe plot reminishenca të historisë.

(Marrë nga: Panorama)