LAJMI I FUNDIT:

Bac (s)u kry!

Bac, kur i ngjeshëm armët për brezi, me kënaqësi thoshin: “O sa mirë po ju rrinë”! Lëre që armët na flinin mirë për krahu, por edhe ideali për çlirim kombëtar.

Buçisnin malet e Pashtrikut, jehona e së cilëve preku edhe malet e Karadakut dhe malet e Sharrit.


Kushtrimi për liri e barazi kombëtare, të UÇK-së (Kosovë), UÇPMB-së (Luginë) dhe UÇK-së (Maqedoni) shembi kufijtë ideologjikë, partiakë e shtetërorë sllavo-komunist, por jo edhe iluzionet për shtet të përbashkët kombëtar.

Bashkimi kombëtar është një proces, është një synim shekullor i shqiptarëve, rrugë e cila është trasuar drejt proceseve integruese euro-atlantike.

Bac, pushka jote nuk krisi për një pushtet të tillë, si ai i sodit. Ushtria, së cilës i dole në ballë, kishte një uniformë dhe një emblemë.

Sot Kosova e çliruar jo plotësisht, u mbush me shumë parti e uniforma. Vëllezërit e tu bashkëluftëtarë në Luginë e Maqedoni, po përballen para drejtësisë serbo-maqedone si terroristë!

Bondstilli, dhe burgjet e Nishit, janë plot me shqiptarë. Në mesin e të cilëve ka edhe ish bashkëluftëtarë të tu, të cilët e thonë me gojën plot: “Bac (s)u kry!”

Po të ndodhte gojëdhëna e kthimit nga ajo botë, e të shihje se çka po ndodh në Kosovë e krahun e saj lindor, do të çmendeshe për së gjalli!

Kosova nuk po funksionon si shtet unik, e në kufi me shqiptarët e Luginës ka ngritur taksa kalimi për udhëtarë 20 euro, e për tregtarë 100 euro në javë.

Këto dallime po na bëhen edhe në shkollim, punësim dhe shërim. Nëna e jonë e dyta legjitime pas Shqipërisë, po na trajton si minoritarë në tokën tonë, në vendin tonë, në Atdheun tonë të cunguar.

Me Rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës, na thanë t’i kërkojmë të drejtat në Beograd e jo në Prishtinë. Në rregull, do t’i kërkojmë ashtu siç i kemi kërkuar qe 100 vjet me radhë, nëpër burgje, gjyqe dhe polici… Do t’i mbijetojmë edhe këto barriera, që na dalin përpara.

Në pushtete fiktive janë ngritur njerëz Bac, që për ideal kanë fitimin, famën dhe karrierën. Ata janë tregtarë, mafiozë, e tradhtarë. Atyre kurrë në jetë nuk u ka munguar, përveç idealit kombëtar. Erdhën në pushtet me shantazhe, vota të vjedhura e me aleatët e tyre natyralë, që na rropën e na poqën për së gjalli. Për t’u ngritur në pozita, kolltuqe, ata bashkëpunojnë edhe me djallin, ngritin kurthe, kallëzime penale, madje edhe linçime nga më të tmerrshmet që nuk i njeh historia e njerëzimit. Këta njerëz Bac, nuk janë njerëz të mirë. Vetëm emri yt dhe vota e lirë ua thyejnë qafën.

Të jesh intelektual i vërtetë në Prishtinë, Shkup e Preshevë, është një punë e rëndë. Çdo send po merr frymë politikisht. Shqiptarët janë përçarë e janë ndarë si zogjtë e korbit. Mall e ke t’i bësh bashkë tre shqiptarë. Vlerat ngadalë po ia lëshojnë vendin gjërave që janë pa vlerë fare.

Bac, për hir tëndin Bac, po presim, po presim e po presim, pa fund deri sa të vetëdijesohemi si shoqëri e si komb!

E atëherë Bac, do të flasim ndryshe!