Aksidenti në Komoran, autoambulanca e Pejës u godit nga vetura e familjarëve të pacientit

Një autoambulancë e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë është përfshirë sot në një aksident trafiku gjatë transportimit të një pacienti për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit të spitalit, autoambulanca, në të cilën ndodheshin pacienti, një mjek, një infermiere dhe shoferi, është goditur nga prapa nga një veturë ku gjendeshin familjarë të pacientit, përcjell Telegrafi.
Nga aksidenti, mjeku ka pësuar një frakturë në dorë dhe po trajtohet në QKUK, ndërsa infermierja dhe shoferi kanë marrë lëndime të lehta.
Pacienti, fatmirësisht, nuk ka pësuar lëndime dhe është transferuar me sukses drejt QKUK-së nga një ekip tjetër mjekësor me autoambulancë tjetër.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka uruar shërim të shpejtë për stafin e lënduar dhe ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e personelit shëndetësor, i cili edhe në situata të vështira vazhdon të ofrojë shërbime me përgjegjësi dhe profesionalizëm. /Telegrafi/


















































