Aubrey O'Day pas vendimit për P. Diddyn: Ata që përfitojnë nga pushteti kanë më pak pasoja se sa viktimat

Ish-këngëtarja e hitit "Danity Kane", Aubrey O'Day, ka komentuar dënimin me burg të P Diddyt dhe ka bërë një shënim paralajmërues për artistët e rinj.
Në një postim në rrjetin social X, ajo ndau disa këshilla për artistët e rinj në botën e muzikës, duke i nxitur ata të jenë të kujdesshëm me këdo që është në një pozicion pushteti dhe i tejkalon kufijtë e tyre.
"Le të shërbejë kjo si një paralajmërim për individët e rinj dhe ambiciozë që po ndjekin ëndrrat e tyre. Paralajmërimi i vërtetë nuk është se gjykata mund të vërë në dyshim dëshminë tuaj, dhe as udhëzimet e gjykatës për dënimin nuk pasqyrojnë vitet e vuajtjes që keni duruar", shkroi ajo pasi Diddy u dënua me më shumë se katër vjet burg.

Ajo thekson më tej se në momentin që dikush në një pozicion pushteti tejkalon kufijtë dhe kërkon më shumë se sa kërkohet, është e nevojshme të tërhiqemi dhe të mos shikojmë prapa.
"Asnjë ëndërr, sado e ndritshme të jetë, nuk mund ta tejkalojë dhimbjen dhe shfrytëzimin që mund të vijë nëse qëndroni. Shumë shpesh, ata që abuzojnë me pushtetin e tyre, edhe kur ekspozohen, përballen me shumë më pak pasoja sesa dëmi që u shkaktohet viktimave të tyre. Mbrojeni veten në shenjën e parë të shtrëngimit ose sjelljes së papërshtatshme. Nëse diçka duket e gabuar, besojini atij instinkti dhe largohuni nga situata. Mirëqenia juaj vlen më shumë se çdo mundësi", tha O'Day.

O'Day ka qenë e zëshme për problemet me Diddyn për vite me radhë, dhe në shtator 2023, ajo theksoi se Diddy i kërkoi asaj të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti në mënyrë që të mos e përmendte atë dhe shtëpinë e tij diskografike.
Në seancën e dënimit të tij disa ditë më parë, Diddy u kërkoi falje ish-të dashurave, miqve dhe familjes, duke e quajtur sjelljen e tij "të neveritshme, të turpshme dhe të sëmurë".
Përveç dënimit me katër vjet burg, Diddy do të duhet të paguajë edhe një gjobë prej 500,000 dollarësh dhe të mbikëqyret për pesë vjet. /Telegrafi/



























































