Se me punë të madhe dhe përkushtim arrihen ëndrrat këtë e ka vërtetuar talenti i ri italian, Mirko Antonucci.
Sulmuesi i talentuar i Romës ka debutuar me ekipin e parë në mesjavë në ndeshje ndaj Sampdorias.
Roma kishte mungesa të mëdha në sulm, pasi Stephan El Shaarawy dhe Diego Perotti mungonin shkaku i lëndimeve.
Kësisoj trajneri Eusebio Di Francesco vendosi ta grumbulloj të riun Antonucci për ta mbajtur në bankën rezervë.
Sampdoria ishte duke udhëhequr 1-0 ndaj Romës që nga pjesa e parë, ndërsa në minutën e 73-të i erdhi radha për tu inkuadruar në ndeshje talentit të madh italian i cili zëvendësoi një futbollist që ka kushtuar 10 milionë euro, Cengiz Under.
Me tu inkuadruar në lojë Antonucci për pak sa nuk shënoj kur harkimin në zonë të Florenzit ishte duke e pritur në shtyllën e dytë por Edin Dzeko ia devijoi topin.
Dy minuta më vonë, Antonucci harkoi për mrekulli në zonë ndërsa goditja e Florenzit shkoi skaj portës së portierit Viviano.
E në minutën e 91-të, Antonucci bëri një harkim të bukur në zonë dhe Edin Dzeko shënoi.
Debutimi i tij u bë i mrekullueshëm, pasi me asistimin e bërë për Edin Dzekon, Roma shmangi humbjen nga Sampdoria.
Pas ndeshjes talenti italian është përgëzuar nga futbollistët e Romës por edhe nga mediat italiane.
Debutimi dhe asistimi i tij nuk ishin të rastësishme pasi djaloshi shkëlqeu tek të rinjtë e Romës.
Dhe për këtë debutim ai ka bërë edhe një tatuazh në këmbën e tij të majtë me të cilën asistoi.
“Kjo nuk është e rastësishme, nuk kam pasur fat”, ka shkruar në këmbën e tij Antonucci duke e shkruar edhe datën e debutimit.
“Ai është një djal i urtë që nuk më ka sjellë asnjëherë probleme. Jam krenare me debutimin e tij në Serie A me Romën”.
“Gjithmonë ka ëndërruar të vije kjo ditë, ka punuar shumë. Dëshira e tij e madhe është të bëhet si Totti, pasi Francesco dhe braziliani Neymar janë idhujt e tij”, ka thënë Lucia, nëna e talentit Mirko Antonucci.
Sipas medieve italiane me këtë talenti italian ka dashur të thotë se nuk ka pasur fat por me punë ka arritur deri te suksesi.
Sulmuesi këmbshpejtë kishte luajtur me Romën në ndeshje miqësore para sezonale, por edhe ndaj Chapeconeses në Olimpico.
Ndaj skuadrës braziliane Antonucci kishte shënuar dy gola duke i bërë me dije të gjithve se një yll ka lindur në Romë.
Muaj më parë për lojtarin ishte interesuar edhe Manchester United, por ai pranoi të vazhdoj karrierën te Roma duke nënshkruar kontratën e re deri në vitin 2022.
18-vjeçari tek të rinjtë e Romës mban fanellën me numër 10 dhe tani në Itali po shihet si pasardhës i Francesco Tottit.
Në 19 ndeshje Antonucci ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë shtatë asistime me Romën.
Viti 2017 ishte i kobshëm për Romën pasi u pensionua nga futbolli Francesco Totti, por viti 2018 ka nisur siç është më së miri, pasi një kapiten i ardhshëm po vije dhe ai është Mirko Antonucci. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=OuY3v-RMDnA