Artpolis dhe Parlamenti Studentor nisin betejën kundër ngacmimit seksual në UP

Artpolis, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Parlamentin Studentor dhe me përkrahje të UNFPA-së, nis Fushatën Ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” përmes një iniciative informuese të dedikuar studentëve dhe komunitetit universitar.
Përmes kësaj fushate, ata po prezantojnë një qasje të re, praktike dhe të qasshme, duke sjellë informim të drejtpërdrejtë, mjete moderne raportimi dhe një thirrje të qartë për ndërgjegjësim brenda komunitetit studentor.
Me këtë rast, Drilona Hamiti kryetare e parlamentit dhe asistente kreative Artpolis u shpreh se, ky aktivitet tregon përkushtimin e universitetit dhe organizatave për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të ndërgjegjësuar për studentët, duke e bërë informacionin dhe raportimin e rasteve më të lehtë dhe të qasshëm.
“Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, organizata Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe mbështetje te UNFPA ka zhvilluar sesione të ndryshme informuese për studentët e UP-së lidhur me Rregulloren e UP-së për Mbrojtjen nga Ngacmimi dhe Ngacmimi Seksual. Gjatë kësaj fushate, ekipet e Artpolis dhe Parlamentit Studentor kanë punuar për t’i prezantuar studentëve tri informacionet kryesore të kësaj rregulloreje në mënyrë të qasshme dhe praktike.
Për këtë arsye, është krijuar një poster me QR code, përmes të cilit studentët mund të qasen lehtësisht në: Shpjegimin e qartë të asaj çfarë përbën ngacmimi dhe ngacmimi seksual, Tekstin e plotë të rregullores së UP-së, Hapat dhe linkun zyrtar se si mund të raportohet një rast”, theksoi ajo.
Ky mjet informues, sipas saj, synon ta bëjë procesin e informimit dhe raportimit më të shpejtë, më të sigurt dhe më të arritshëm për secilin student, duke ofruar qasje të drejtpërdrejtë në të gjitha burimet e nevojshme.
Po ashtu sipas Hamitit, Artpolis dhe Parlamenti Studentor i UP-së mbeten të përkushtuar në krijimin e një mjedisi universitar të sigurt, të dinjitetshëm dhe pa ngacmime, duke vazhduar punën drejt fuqizimit të studentëve dhe përforcimit të mekanizmave të raportimit.
Ndërsa, Ismet Krasniqi kryetar i Organizatës Studentore Reforma theksoi se e mirëpret këtë iniciativë të Parlamentit Studentor dhe organizatës Artpolis, duke theksuar rëndësinë e rregullores së re për mbrojtjen nga ngacmimi dhe ngacmimi seksual në Universitetin e Prishtinës.
“Pa dyshim që e mirëpresim këtë iniciativë të parlamentit studentor por edhe të organizatës Artpolis për shkak që unë besoj që kjo rregullore e miratuar edhe në universitetin e Prishtinës ka për qellim t’i informoj studentet mbi një rregullore që gjendet aktualisht në UP për mbrojtje dhe të drejtat e ngacmimeve seksuale që potencialisht mund të ndodhen edhe në hapësirat publike. Unë e di që ka pasur debate të zjarrtë edhe në mesin e universitetin e Prishtinës por unë besoj që kjo rregullore vetëm e plotëson dhe e përmirëson imazhin e universitetit të Prishtinës”, tha ai.
Në fund u tha se qëllimi kryesor i kësaj rregullore është krijimi i një mjedisi universitar të sigurt, të qasshëm dhe të informuar, ku studentët kanë mjete të qarta për identifikim dhe raportim të rasteve të mundshme të ngacmimit. /KP/


















































