LAJMI I FUNDIT:

Artisti gjerman që e luftoi nazizmin

Artisti gjerman që e luftoi nazizmin

Nga: Cath Pound (BBC)
Përktheu: Telegrafi.com

Në një fotomontazh goditës të vitit 1929, artisti John Heartfield ia kthen mrrolet atyre që e shohin, teksa ai me një palë të mëdha gërshërësh e pret kokën e shefit të policisë së Berlinit, Karl Zorgiebel. “Përdoreni foton si armë!”, është titulli i imazhit. Në këtë rast shprehej një dëshirë për njeriun që kishte urdhëruar rrahjen brutale të punëtorëve protestues. Por, Heartfield do t’i kthente fotomontazhet e tij në armë të fuqishme, kundër një armiku më të frikshëm: Adolf Hitlerit. Në vitet para të Luftës së Dytë Botërore, teksa nacionalsocialistët u përpoqën të manipulonin opinionin publik me makinerinë e tyre të fuqishme propagandistike, përmes imazheve të tij të zgjuara Heartfield e zbulonte të vërtetën prapa gënjeshtrave të tyre, duke u bërë kështu një nga artistët më të rëndësishëm e më inovativ në luftën kundër nazifashizmit.

“Përdoreni foton si armë!”

I lindur si Helmut Herzfeld në vitin 1891, Heartfield fillimisht u trajnua për reklama, por shkatërrimet e pakuptimtë të Luftës së Parë Botërore e radikalizojnë si politikisht ashtu edhe estetikisht. Kështu, e përshtati versionin anglez të emrit të tij, si kundërshtim për ndjenjat anti-angleze që kapluan Gjermaninë e atëhershme. Dhe, së bashku me shokun e tij George Grosz, më 1916 nisi të eksperimentonte me fuqinë e fotomontazhit në ndryshimin e perceptimit. Forma e artit – ku dy ose më shumë foto kombinoheshin për të krijuar imazhe të reja – do të bëhej thelbësore në punën e tyre, në kuadër të dadaizmit berlinez. Dyshja iu bashkua kësaj lëvizjeje të artit, më 1917, kur do të takohen me artisten tjetër të fotomontazhit, Hannah Hoch.


Dadaizmi nxiste një qasje konfrontuese dhe shpërthyese ndaj kompozicionit, por sapo Heartfield u largua nga grupi, mësoi t’i rregullonte më mirë elementet e punës së tij, për të arritur ndikim më të madh. Dizajnet e tij arritën në nivel më të lartë teksa ai punonte në Departamentin e Propagandës të Partisë Komuniste Gjermane (KPD), së cilës i ishte bashkuar me entuziazëm më 1918. Pikërisht aty e krijoi posterin e tij ikonik të zgjedhjeve, “Pesë gishta i ka dora” (1928). Ky imazh me zgjuarsi bënte me dije për fuqinë e punëtorit për ta kapur armikun, ndërsa aludonte gjithashtu në numrin që Partia Komuniste e kishte në votimet e ardhshme në zgjedhjet parlamentare gjermane.

“Pesë gishta i ka dora”

“Mendoj se ishte një goditje e gjeniut”, thotë Anna Schultz, bashkë-kuratore e ekspozitës “John Heartfield: Fotografi plus dinamit” që u shfaq në Akademinë e Arteve të Bukura në Berlin. “Mund ta shihni se ai i njihte reklamat. Kishte një imazh të kapshëm dhe një parullë të mirë”.

Sidoqoftë, përkundër ndikimit pozitiv të posterit në rezultatin e zgjedhjeve, modeli i tij inovativ dështoi për shkak të disa udhëheqësve partiakë që mendonin se çdo gjë abstrakte ishte dekadente. Në fund, fërkimet për natyrën e tij të punës ia pamundësuan Heartfieldit të vazhdonte punën në KPD.

Sidoqoftë, u mirëprit nga “Die Arbeiter-Illustrierte-Zeitung” (Revista e Ilustruar e Punëtorit) – ose shkurt AIZ. Ishte ky një periodik i spektrit të polarizuar politik të së majtës së Republikës së Vajmarit , që doli të jetë mediumi ideal për Heartfieldin për t’i vënë nacionalsocialistët në shënjestër.

Megjithëse pjesa më e madhe e popullsisë gjermane ishte në përputhje me makinerinë e fuqishme propagandistike të nazistëve, Heartfield, si pacifist i zjarrtë dhe anti-kapitalist, ishte imun ndaj kësaj.

“Mendoj se shihte përtej kësaj”, thotë Schultz. “E kuptoi shpejt se cilat ishin synimet dhe qëllimet e tyre. Ata e quanin veten nacionalsocialistë, por kurrë nuk kishte diçka socialiste tek ta”.

I armatosur me asgjë tjetër pos letrës, gërshërëve dhe ngjitësit, Heartfield shpejt do ta niste një luftë efektive kundër gënjeshtrave dhe hipokrizisë së tyre. “Ai tregonte se sa të paqëndrueshëm janë”, thotë Schultz. “Është montazhi i quajtur ‘Mimika’ ku e shihni Goebbelsin teksa e vë mjekrën e Marxit te Hitleri, veç për të tërhequr më shumë vota nga klasa punëtore.”

“Mimika”

Partia naziste nën kontrollin industrisë, ishte problem i madh për Heartfieldin dhe ai zbavitej kur – për të shfaqur qëndrimin e tij – e përdorte propagandën e tyre kundër vet atyre, sidomos nëse kjo përfshinte goditjen e idesë së Hitlerit për veten e tij si një Ubermensch (Mbinjeri). Në fotomontazhin e tij, “Adolf Supermeni: Përpin ar dhe nxjerr bërllok” (1932), Heartfield e vendosi një fotografi të njohur të Hitlerit të realizuar gjatë një tubimi të tij, në një fotografi të Rrezeve X. Shtylla kurrizore është bërë nga monedhat që udhëheqësit e biznesit i kanë hedhur në gojën e zbrazët të Hitlerit, për ta shtyrë atë të lëshojë gënjeshtrat luftarake që do t’u sjellin atyre fitim.

“Adolf Supermeni: Përpin ar dhe nxjerr bërllok”

Diku tjetër diktatori zvogëlohej dhe parodizohej si një kukull në duart e biznesmenit me puro, Fritz Thyssen. Këmbët dhe krahët e tij të hapur i bëjnë qesharake mënyrat e tij të shprehjes.

“Është interesante është mënyra se si ai i manipulon imazhet”, thotë Schultz. “Sot është e vështirë të thuash nëse është bërë ndërhyrja te një imazh, por me Heartfieldin ishte proces tjetër. Nuk ka të bëjë me maskimin e punës. Ai ka thënë se ka të bëjë me tregimin e së vërtetës prapa figurës, duke e bërë të qartë gënjeshtrën. Ideja ishte që shikuesi të shikojë imazhin, të shohë se diçka është ndryshuar dhe të pyesë: ‘Cili është realiteti prapa kësaj’”, shpjegon ajo.

“Unë, mjeti në dorën e Zotit? Lotra në dorën e Thyssenit”

Në botën tonë të mbushur me imazhe, ndoshta është e vështirë të kuptohet ndikimi që ka pasur puna e Heartfieldit, por Schultz thotë se nuk ka dyshim se ishte “punë e madhe”. AIZ, në të cilën fotomontazhet e tij shpesh zbukuronin kopertinën, kishte arritur tirazh prej rreth 250 mijë kopjesh dhe nëpër stendat e gazetave do të shihej edhe nga ata që nuk e blinin revistën. Heartfieldi gjithashtu i krijoi posterët që shfaqeshin nëpër Berlin.

Nga inati i tyre – meqë shtohej audienca e Heartfieldit – nazistët botonin artikuj që denonconin këtë punë, por në fund doli se njerëzit e blinin revistën veç pse ishin të intriguar me fotomontazhet brenda.  “Sigurisht, ishte triumf i madh për Heartfieldin sepse nazistët i përhapnin veprat e tij”, qesh Schultz.

Nuk është për t’u habitur se kur Hitleri e merr pushtetin, në janar të vitit 1933, Heartfield shpejt u gjend në listën e goditjes së nazistëve. Banesa e tij u bastis dhe ai ia doli t’i shmanget arrestimit, duke u arratisur nga dritarja dhe duke ikur përtej kufirit në Çekosllovakinë e asaj kohe.

Për fat të mirë AIZ-i – më vonë e quajtur “Die Volks-Illustrierte”, ose VI – ishte në gjendje ta vazhdonte botimin në Pragë, megjithëse me tirazh më të vogël. Fuqia e tij për t’u futur nën lëkurën e nazistëve, madje edhe në mërgim, ishte e dukshme kur Ambasada Gjermane i bëri presion Shoqatës së Arteve të Bukura të Manesit për të hequr fotomontazhet e Heartfieldit nga një ekspozitë ndërkombëtare e karikaturave. Heartfieldi u përgjigj duke e krijuar një imazh të vetëm nga ato që të ndaluarat, duke e vendosur atë në kopertinën e VI-së e duke e kthyer çështjen në cause célèbre.

“Deutschland, Deutschland über alles” (Gjermania mbi të gjitha)

Sidoqoftë, kur u arrit Pakti i Munihut – i cili në një mënyrë ia dorëzoi Hitlerit, Çekosllovakinë – kjo e vështirësoi qëndrimin e Heartfieldit në Pragë. Si i pambrojtur, u detyrua të ikën përsëri, por këtë herë në Londër. Atje mundësitë artistike ishin të pakta dhe puna e tij nuk e kishte ndikimin që do ta donte.

Në fund, Heartfield gjeti punë në një shtëpi botuese në Londër dhe nuk u kthye në atë që quhej Republika Demokratike e Gjermanisë (lindore, komuniste – v.j.) deri në vitin 1950. Kthimi i vonuar dhe shqetësimet për natyrën e punës së tij, e përjashtuan nga Partia Komuniste me çka i pamundësohej punësimi. “Do të isha dizajner i socializmit nëse ata do të ma lejonin këtë”, u shpreh më vonë. Ndonëse në fund u rehabilitua dhe iu mundësua anëtarësimi në Akademie e  Arteve të Bukura, dikush mund të pajtohet se kjo ishte një humbje për socializmin.

“Lufta dhe kufomat: Shpresa e fundit e Rajhut”

Teksa nacionalizmi edhe një herë po e çon kokën e shëmtuar në gjithë Evropën dhe në botë, dhe teksa manipulimi i fotove është i disponueshëm për këdo me një smartfon, mbase mënyra e zgjuar e Heartfieldit për të zbuluar gënjeshtrat, mund të bëhet frymëzim për një brez të ri artistësh. Edhe nëse jo, imazhet e tij ikonike që nxorën në pah brutalitetin e pakuptimtë të luftës dhe fuqinë e rezistencës kolektive, janë të fuqishme dhe të rëndësishme si dhe më parë. /Telegrafi/