Me përfundimin e javës së fundit në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut, janë zbardhur emrat e skuadrave që do të ngjiten në elitën e futbollit vendas, njofton Telegrafi.

Skuadra e Makedonija Gjorçe Petrov javë më parë kishte siguruar vendin e parë dhe rikthimin në elitën e futbollit të Maqedonisë, ndërsa këtë fundjavë edhe Arsimi nga Çegrani siguroi promovimin historik në Ligën e Parë, ndërsa Bashkimi i Kumanovës do ta kërkojë inkuadrimin përmes balotazhit.


Skuadra nga Çegrani, Arsimi dominoi në transfertën ndaj Vardarit të Negotinës, duke fituar bindshëm me rezultat 0-4. Me këtë triumf, Arsimi siguroi vendin e dytë në renditje dhe njëherësh ngjitjen direkte në Ligën e Parë për herë të parë në histori. Me tre gola të realizuar brenda vetëm tetë minutave nga Alban Taipi, Albin Ramadani dhe Maliq Beluli, Arsimi vendosi fatin e ndeshjes që në fillim. Në pjesën e dytë, Arlind Aliti vulosi fitoren.

Nga ana tjetër, Bashkimi i Kumanovës siguroi vendin e tretë dhe të drejtën për të luajtur ndeshjen e balotazhit kundër skuadrës së vendit të tetë të Ligës së Parë – Besës së Dobërdollit. Bashkimi triumfoi në një duel vendimtar ndaj Bregallnicës në transfertë, me rezultat minimal 0-1. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Emir Asani në minutën e nëntë. Pavarësisht presionit të vendasve, portieri Amir Jashar ishte në nivel të lartë, duke shpëtuar disa raste të pastra dhe duke u shpallur hero i këtij suksesi.

Tani vëmendja përqendrohet në duelin vendimtar: Bashkimi – Besa, ku vetëm njëra prej këtyre dy skuadrave do ta sigurojë një vend në Ligën e Parë për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app