Ka nisur java e 11-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut me dy ndeshje të luajtura sot, në Shkup dhe Gostivar, njofton Telegrafi.

Në kryeqytet, Makedonija Gj.P dhe Bashkimi ndanë pikët pas një dueli të luftuar që përfundoi 1:1. Të dy skuadrat patën raste të mira shënimi, ndërsa portierët ishin në qendër të vëmendjes gjatë pjesës së parë. Avantazhin e takimit e mori Bashkimi në fillim të pjesës së dytë me golin e Avornijos, pas një pasigurie të portierit vendas. Megjithatë, vendasit arritën të barazonin në minutat e fundit përmes Peçovit, duke shmangur humbjen në shtëpi. Kumanovarët, megjithëse pa fitore, treguan karakter dhe qartazi po rriten nga ndeshja në ndeshje.


KF Bashkimi - Kumanovë

Në Gostivar, Arsimi zhvilloi një ndeshje spektakolare përballë Rabotniçkit, duke arritur një barazim 2:2 pas një përmbysjeje të bukur në pjesën e dytë. Miqtë nga Shkupi përfituan në fundin e pjesës së parë, kur fillimisht Demir Imeri shënoi një gol të bukur nga distanca, ndërsa menjëherë pas tij një autogol i fatkeq e dyfishoi epërsinë e Rabotniçkit.

Në pjesën e dytë, skuadra nga Çegrani reagoi me vendosmëri, veterani Bashkim Velija realizoi një “perlë” nga 30 metra, ndërsa në minutat e fundit Albian Taipi, pasi goli iu konfirmua nga VAR-i, barazoi rezultatin për 2:2, duke shpërthyer entuziazmin në tribuna. Arsimi arriti të ruajë barazimin deri në fund dhe të marrë një pikë me shumë vlerë në shtëpi.

Pas këtyre dueleve, Arsimi ngjitet në kuotën e 12 pikëve, ndërsa Bashkimi mbetet me një bilanc të qëndrueshëm në mesin e tabelës. Java e 11-të do të vazhdojë me tri përballje të tjera interesante: nesër Shkupi luan ndaj Strugës, Pelisteri pret Tikveshin në orën 17:00, ndërsa të enjten zhvillohen dy duele të forta – AP Brera përballet me Shkëndijën në orën 13:30 dhe në mbrëmje Vardari pret Sileksin në orën 17:00. /Telegrafi/

telegrafi sport app