Arsenali planifikon rikthimin në Wembley për shkak të zgjerimit të madh të Emirates

Arsenali po planifikon një transformim të madh të stadiumit të tyre, Emirates, për ta bërë atë më të madh se çdo stadium tjetër në Londër, me kapacitet që do të kalojë 70,000 vende.
Aktualisht Emirates është stadiumi i katërt më i madh në kryeqytet me 60,700 vende, por “Topçinjtë” po shqyrtojnë edhe mundësinë e luajtjes së ndeshjeve në Wembley gjatë kohës që zgjerojnë stadiumin.
Plani përfshin ndryshime në pjerrësinë e tribunave, riorganizim të ulëseve dhe ngritje të çatisë, me një investim të mundshëm rreth 580 milionë eurosh.
Ky zgjerim do t’i lejojë Arsenalit të shkurtojë listën e gjatë pritëse prej mbi 100,000 tifozësh për bileta sezonale dhe do të rrisë ndjeshëm të ardhurat vjetore të klubit.

Për shkak të punimeve, Arsenali do të duhet të gjejë një stadium alternativ për ndeshjet në shtëpi, duke konsideruar rikthimin e ndeshjeve në Wembley, sikurse bënë më parë gjatë periudhës 1998-2000.
Kjo do t’i kushtojë klubit, por do të ndihmojë në avancimin e projektit ambicioz.
Zgjerimi i Emirates do ta vendosë Arsenalin në një pozitë konkurruese kundrejt Tottenham dhe West Ham, të cilët tashmë kanë stadiumet më të mëdha në Londër.
Me këtë projekt, Arsenali synon të rikthehet në elitën e futbollit londinez dhe të përmirësojë ndjeshëm përvojën e tifozëve. /Telegrafi/



















































