Arrestohet personi i dyshuar për vrasje në tentativë në Isniq të Deçanit

Një person është arrestuar nën dyshimin për veprën penale vrasje në tentativë, pas një incidenti të rëndë që ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit, ku një person dyshohet se është lënduar rëndë me sëpatë nga një familjar i tij.
Rastin fillimisht e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare rreth orës 15:35.
“Rreth orës 15:35, Stacioni Policor është njoftuar nga QMF se është duke u trajtuar një person i lënduar me mjet të fortë, sëpatë, i cili dyshohet se është lënduar nga një familjar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit. Personi i lënduar është dërguar në emergjencën e Pejës për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Prokurorja e shtetit është njoftuar me rastin dhe ka autorizuar që me rastin të merret sektori i hetimeve rajonale për shkak të peshës së veprës”, ka deklaruar Gashi.
Sipas Policisë, viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ndërsa hetimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorinë.
Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Telegrafin se viktima është jashtë rrezikut për jetë dhe se rasti është cilësuar si vrasje në tentativë.
“Ka ndodhur një rast i cilësuar si vrasje në tentativë në komunën e Deçanit. Viktima është jashtë rrezikut për jetë. Prokurorja e krimeve të rënda ka autorizuar Policinë për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, ka deklaruar Nikçi.
Në një konfirmim shtesë për arrestimin, Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.
“Arrestohet personi i dyshuar për vrasje në tentativë. I njëjti, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar./Telegrafi/






















































