LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, Prokuroria Speciale jep detaje

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, Prokuroria Speciale jep detaje

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar një shtetas serb të identifikuar me inicialet D.R., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari është arrestuar në bazë të provave dhe dëshmive të mbledhura nga hetimet preliminare, të cilat sugjerojnë përfshirjen e tij në ngjarje të dhunshme gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

I dyshuari dyshohet se ka kryer akte të dhunës dhe mizorive ndaj popullsisë civile në regjionin e Gjakovës, një nga zonat që ka përjetuar masakra dhe spastrime etnike gjatë periudhës së luftës.


Ligji penal i ish-Jugosllavisë, që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprave, sanksionon ashpër këto krime, duke i konsideruar ato si shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndodhet nën masën e arrestit të përkohshëm.

Brenda afatit ligjor, ai pritet të dalë para Gjyqtarit të procedurës paraprake, ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm të procedurës penale.

Ky arrestim është pjesë e përpjekjeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë për të ndjekur dhe ndëshkuar përgjegjësit e krimeve të luftës, pavarësisht kohës që ka kaluar që nga përfundimi i konfliktit.

Autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët dhe dëshmitarët për të ndihmuar në identifikimin dhe ndëshkimin e individëve të përfshirë në krime kundër njerëzimit.

Organet kosovare të ndjekjes kanë ngritur së fundi dhjetëra aktakuza lidhur me krime që kanë ndodhur gjatë luftës më 1998-99.

Krimet e luftës në Kosovë nga viti 2000 deri më 2008 ishin hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Ndërkaq, nga viti 2018, EULEX-i ia ka dorëzuar lëndët prokurorive dhe gjykatave të Kosovës.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. Më shumë se 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë./Telegrafi/