Në kuadër të aksionit me emrin e koduar "Monstrum", sot në orët e para të mëngjesit u kryen bastisje në shumë pjesë të Shkupit.  “Në orët e para të mëngjesit janë kryer bastisje në 26 objekte. Gjatë bastisjes, janë ndaluar 20 persona në baza të ndryshme. Është gjetur një numër i madh materialesh për të cilat vlerësojmë se më pas do të mund t’i shfrytëzojmë si dëshmi. Është gjetur një pjesë e madhe armësh, literaturë, e cila flet për përfaqësimin ideologjik të këtyre personave dhe një sërë lëndësh të tjera si jelek taktik, maska dhe pajisje të ngjashme, të cilat mund të shfrytëzohen ose ka qenë e shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulovska.

Gjatë aksionit policor morën pjesë mbi 800 përfaqësues të policisë, ka marrë pjesë edhe Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe Byroja për Siguri Shtetërore.


"Në mesin e 20 të arrestuarve, ka persona të cilët drejtpërdrejtë janë të ndërlidhur me vrasjen makabre në liqenin e Hekuranës, pranë fshatit Smilkovc. Por, ka dhe të tillë për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete se drejtpërdrejt janë të përfshirë në këtë vrasje. Ata po merren në pyetje për momentin, dhe pasi të realizohen hetimet, do të dalim me të dhëna tjera“, tha ajo.

“Bëhet fjalë për qytetarë të Maqedonisë, nga Shkupi, të cilët janë pjesëtarë të grupeve radikale islamike, të cilët paraqesin kërcënim si për të krishterët, ashtu dhe për muslimanët", tha Jankulovska, raporton REL.

“Të gjitha dëshmitë materiale, për të cilat folëm më parë kanë qenë pikënisje që të vinim deri tek faza ku do të mësonim saktë se ku duhet të bënim bastisje, çfarë të kërkonim gjatë atyre bastisjeve si dhe në çfarë drejtimi ta orientonim hetimin. Më këtë rast dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët që na dhanë informata të rëndësishme duke u paraqitur në numrin 199... Më e rëndësishme është se MPB-ja ka zbuluar autorët e vrasjes makabre të 5 personave të pafajshëm në liqenin e Smillkovcës”, tha Jankulovska.

Ajo tha se kundër përfaqësuesve të grupit do të ngrihen padi penale për veprën penale të terrorizmit.

Më 13 prill në bregun e liqenit afër Smilkovcit, u vranë Kire Trickovski, Aleksandar Naqeski, Filip Slavkovski dhe Cvetanco Acevski, të moshës prej 18 deri 20 vjeç, si dhe Borce Stefanovski (45) nga fshati Creshevë.

Pesë personat, sipas informatave të deritanishme të policisë, janë vrarë me armë automatike në afërsi të drejtpërdrejtë.

Një ditë më vonë, 10 kilometra nga vendi i masakrës është gjetur automobili "Opel omega", për të cilin më vonë është konfirmuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është përdorë nga vrasësit. /Telegrafi/