Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se misionet diplomatike duhet të jenë më të angazhuara për lirimin e ish-ushtarëve të UÇK-së nga autoritetet serbe. Ajo pas raportimeve se është arrestuar Lulzim Halili, tha se ky nuk është rasti i parë, dhe se të njëjtit nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Çitaku u shpreh se liria e lëvizjes duhet të jetë e garantuar, teksa kërkoi aktivizimin e misioneve diplomatike.


“Sigurisht që ne i ndjekim, e kemi parë dhe është lajm jashtëzakonisht shqetësues. Fatkeqësisht kjo tashmë është shndërruar në lajm të rregullt, sepse nuk është rasti i parë ka edhe ushtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen tash e disa muaj nëpër burgjet e Serbisë. Qeveria e Republikës së Kosovës, kjo në largim duhet të jetë shumë më aktive. Misionet tona diplomatike duhet të jenë shumë më të angazhuara në mënyrë që të vihen në funksion mekanizmat ndërkombëtarë për lirimin e tyre. Ata nuk janë njerëz pa atdhe, nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe, si njerëz pa institucione, si njerëz për fatin e të cilëve nuk brengoset askush”, deklaroi ajo.

Ajo kritikoi Ministrinë e Punëve të Jashtme, për çka tha se në vend se të merret me beteja të vogla të brendshme, siç u shpreh Çitaku, duhet të jetë në funksion të qytetarëve.

“Ministria e Punëve të Jashtme në vend se të merret me beteja të vogla të brendshme do të duhej të ishte në funksion të qytetarëve të Kosovës. Ata nuk janë njerëz pa atdhe, duhet të trajtohen më me dinjitet”, shtoi ajo.

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Lulzim Halili, nga autoritetet serbe në Serbi. Sipas Novosti-it, ish-luftëtarit të UÇK-së iu caktua masa e ndalimit prej 48 orëve nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës. /kp/