Armëpushimi SHBA–Iran, Kusari-Lila: Pritet stabilizimi i çmimit të naftës

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila beson që stabilizimi i çmimit të naftës do të vazhdojë në ditët në vijim pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim dy javor mes SHBA dhe Iranit.
Kusari-Lila tha se mekanizimi ekzistues për përcaktim e çmimeve maksimale të lejuara të derivateve të naftës, nuk do të lejojë të shkohet mbi normën e përcaktuar.
“Uroj që stabilizimi i çmimit të naftës dhe derivateve të vazhdoj ditëve në vijim, dhe kjo do të varet nga rrethanat në lindjen e mesme shumë e rëndësishme që ky mekanizëm i joni deri tani ka dhënë rezultatet e veta ndoshta jo në nivel 100% ka pas lëvizje të çmimeve, por gjithsesi që në situatën kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mos ndikim të sasi apo të çmimit në berzen ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit me marzhë. Por duhet më shumë se sa një ditë që të përcaktohet saktë se a kemi kaluar në një situatë normale apo ende ka hapësirë për destabilitet..Ne kemi e vlerësuar dy herë në ditë marrim informata mbi çmimin e importit të naftës dhe derivateve të saj, prandaj e kemi mekanizmin e marzhës që nuk do të lejoj të shkohet mbi normën e përcaktuar të çmimit të naftës dhe derivateve“, tha ajo.
Ministrja e Tregtisë, Kusari-Lila tha se në situatën aktuale po shikojnë mundësitë e ndërhyrjes tek sektori i transportit dhe atij të bujqësisë.
“Ne konsiderojmë që aktualisht në këtë situatën që jemi është siguruar që ka pas mbarëvajtje sektori por edhe nuk ka shkuar në ekstrem çmimit përkundër lëvizjeve që kanë ndodhur në berzat ndërkombëtare. Konsiderojmë që në situatën si e kemi jemi duke e shikuar mundësinë e ndërhyrjes tek sektori i transportit dhe i bujqësisë si dy prej sektorëve që prekin kategoritë më të ndjeshme, ndërsa tek sektorët që ende e kanë mundësinë e operimit pa ndërprerje ajo mbetet të shihet për një rrethanë tjetër”, deklaroi ajo.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim dyjavor që mundëson edhe lëvizje nëpër Ngushticën e Hormuzit./KP/



















































