Apartamente shqiptare për evropianët, jehonë nga artikulli në 'Forbes'

Shqipëria nuk po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare vetëm përmes bukurive natyrore, monumenteve historike apo turizmit bregdetar.
Së fundmi, revista prestigjioze Forbes ka vlerësuar vendin si një nga destinacionet më premtuese në Evropë për investime në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Në një artikull të publikuar nga kjo revistë ndërkombëtare, Shqipëria renditet ndër vendet më të favorshme për të blerë pronë nën vlerën prej 100 mijë dollarësh, madje edhe përgjatë bregdetit.
Sipas Forbes, një nga pikat më të forta është Vlora, e cilësuar si destinacioni më i përshtatshëm për investitorët, ku çmimet e pronave variojnë nga 77 mijë deri në 99 mijë dollarë.
Një nga destinacionet më të njohura është Vlora, një qytet bregdetar përgjatë rivierës shqiptare me histori të pasur dhe plazhe të mrekullueshme. Këtu, është e mundur të blini pronë për 100,000 dollarë – ose ndoshta shumë më pak,” shkruan revista.
Vlerësimi është përshëndetur edhe nga përfaqësues të sektorit të pasurive të paluajtshme në vend.
“Mendoj është një lajm i mirë kur vlerësohesh nga kjo revistë. Është një treg në rritje që premton shumë për investime. Ka mundësi shumë të mira për t’u shfrytëzuar kapitalet hyrëse”, u shpreh Reinaldo Pipiria nga Shoqata ‘NAREA’.
Sipas tij, janë disa faktorë që po nxisin interesin ndërkombëtar për Shqipërinë:
“Pasja e disa samiteve politikë dhe ekonomikë, lokacioni strategjik i Shqipërisë në disa korridore të rëndësishme dhe procesi i negociatave për integrim. Në të ardhmen pritet rritje e çmimeve dhe hyrje më e vështirë në treg, ndaj po shfrytëzohet ky moment”, shton Pipiria.
Ndërkohë, ekspertët e fushës theksojnë se Vlora pritet të luajë një rol kyç në zhvillimet ekonomike të rajonit.
“Vlora do të ketë një port hyrës në Ballkanin Perëndimor sa i përket investimeve amerikane, por edhe nga bota arabe. Pritet të ketë prezencë të sipërmarrësve të mëdhenj, përfshirë dhëndrin e ish-presidentit Donald Trump”, theksojnë ata.
Për mediat ndërkombëtare, Shqipëria përshkruhet si një vend krenar, me një kryeqytet të gjallë, peizazhe malore mbresëlënëse dhe një vijë bregdetare mahnitëse përgjatë detit Adriatik dhe Jon, që e bëjnë atë jo vetëm tërheqëse për turistët, por gjithnjë e më shumë edhe për investitorët globalë.


















































