LAJMI I FUNDIT:

Anomalitë e KEK-ut

Ka kohë që kam dashur të shkruaj një qasje për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK-u), jo për tërësinë e saj, por gjegjësisht për njësinë e distribucionit apo shpërndarjes së saj, porse disi rasti apo çasti prolongohej nga aktualitetet tjera, porse ngjarja që ndodhi këto ditë, bënë që kupa të mbushet, dhe vendosa të shkruaj për anomalitë brenda KEK-ut.

Pas luftës në Kosovë, në çastet e etheve dhe vlimeve patriotike, rastisi që një ditë, me ç’rast isha edhe vet prezent, vijnë dy punëtorë të KEK-ut, duke më porosit që orëmatësin (njehsorin) e rrymës elektrike që e kisha, duhet ndërruar, pasi që është i prodhimit serb (EI-Nish), dhe se si i tillë tregon më tepër kilovat të shpenzuar të energjisë elektrike se sa është gjendja reale, me orëmatësin e prodhimit slloven (Iskra-Kranj). Mirë ju thash, pasi është ashtu, a keni ndonjë vendim me shkrim nga KEK-u, apo ndonjë vendim intern të juaj, pasi që me dëshirë do ta kisha ndërruar orëmatësin, po të ishte i prodhimit shqiptar apo kosovar, për të kontribuar në prodhimin dhe zhvillimin vendor, me konsumimin e prodhimeve vendore, ndërsa sa i përket orëmatësit dhe ndërrimit të tij, do të shkojë në njësinë qendrore të KEK-ut në Prishtinë, për t’u konsultuar dhe sqaruar një veprim të tillë.


Para se të kem orëmatësin serb të EI-Nishit, e kisha orëmatësin slloven Iskra –Kranjit, porse gjatë pushtetit serb, e ndërruan orëmatësin slloven me orëmatësin serb, por nuk më kujtohet saktësisht a ishte detyrim apo ndonjë prishje, që ke shkak për të ndërruar njehsorin.

Në Prishtinë, në njësinë qendrore të KEK-ut, në takimin që e pata me një menaxher, të njërës nga divizionet e saj të shumtë, mora përgjigje të prerë se nuk ka pas kurrfarë urdhër për një veprim të tillë, dhe se fare nuk është e vërtetë se orëmatësi apo njehsori i prodhimit serb (EI-Nish) nuk tregon gjendjen reale, pos që ka ndonjë prishje eventuale në njehsor apo orëmatës. Punëtorët pa thënë një-dy u larguan, dhe se nuk erdhën fare më, por gjatë largimit e kishin ç’kyçur pllombën e njehsorit, që unë fare nuk e kisha vërejt, për t’u hakmarrë.

Pas një kohe erdhi kontrolli i KEK-ut për të kontrolluar orëmatësin dhe konstatoi se e kisha pllombën e ç’kyçur, dhe se jam duke vjedhur rrymën, e unë jo që fare nuk di të manovrojë me rrymën elektrike, por edhe karakteri im njerëzor nuk më lejon diç të tillë të bëjë, e lere më të vjedh. Të zitë e ullirit kam hequr, gjersa i kam bindur, duke ju argumentuar me fatura për vite me radhë, sa jam duke shpenzuar mesatarisht në vit dhe pagesat që i kam bërë me rregull, varësisht prej shpenzimit dhe tarifës verore apo dimërore të saj.

Para dy vitesh patë ndërrua jetë babai im, dhe se si trashëgimtar i tij, me kohë desha të kryejë të gjitha formalitetet e nevojshme që si një qytetar i rregullt i shoqërisë kosovare dhe konsumator i shërbimeve të ofruara nga kompanitë siç janë, PTK, KEK-u, Hidroregjioni, Ekoregjioni etj.
Pasi që e nxora certifikatën e vdekjes së babait tim, e kopjova së bashku me kopjen e letërnjoftimit, dhe i hyra procedurës së ndërrimit të emrit në faturat për pagesë për shërbimet publike të ofruara. Pa kurrfarë problemi i rregullova në PTK, Hidroregjion dhe Ekoregjion, por kur shkova në KEK- njësinë rajonale në Prizren, sharra hasi në gozhdë, më thanë se nuk bën të ndërrosh emrin në faturë, për derisa nuk e paguan në tërësi borxhin paraprak, edhe pse borxhi im ndaj KEK-ut asnjëherë nuk ka kalua maksimalisht 200 euro, varësisht prej tarifës. Jam habitur me një veprim të tillë, dhe se nuk e kisha të qartë, se si mund të jetë kështu, pasi që është adresa e njëjtë, orëmatësi i njëjtë, tani të llogaritet si një konsumator i ri, i cili për herë të parë paguan, apo është një konsumator i ri që e ka blerë shtëpinë apo banesën.

Sivjet, gjatë pranverës, prapë erdhi kontrolli i KEK-ut në shtëpinë time, me pretekst të kyçjes ilegale, duke i parë kabllot në oborr për ndriçim dhe kuzhinën verore në oborr, që ishin të lidhur në mënyrë të rregullt në sistemin e rrymës elektrike, pas vërtetimit të gjendjes faktike reale dhe të rregullt, ju thash si s’ju vjen turp që të kontrolloni dhe shqetësoni për të satën herë, një konsumator të rregullt i cili me kohë, i kryen të gjitha pagesat dhe obligimet ndaj shërbimeve të ofruara, nuk bënë zë, duke parë veten fajtor nga (dez)informata e marrë për kontroll, për kyçje ilegale .

Para ca ditësh, shkova në KEK, të paguaj kistin mujor prej 50 eurosh që paguaj minimalisht, e kisti shkon edhe në 100 euro në muaj, varësisht prej shpenzimit të energjisë elektrike dhe tarifës së caktuar dimërore apo verore. Njëherit me këtë pagesë të kryer, edhe gjendja ime bëhej zero obligime ndaj KEK-ut, pa asnjë borxh. Pasi që nuk kam më borxh, shkova të kryej edhe ndërrimin e emrit të faturës nga babi im, shpirti i tij rahmet pastë, në emrin tim si trashëgues, të cilin veprim para dy vitesh nuk arrita të kryej. Pas pagesës së bërë, shkova te referentja e caktuar për këtë punë, dhe se pas ofrimit të kopjes së certifikatës së vdekjes, kopjes së letërnjoftimit, i mori shënime përkatëse të duhura dhe i regjistroi në kompjuter, pas së cilës më tha se tani obligohesh me pagesë shtesë prej 5.80 euro për shërbim të kryer si konsumator i ri. Mbeta pa tekst, nuk ishte shuma, vlera, ajo që më brengosi, por mënyra e veprimit të saj, e cila nuk kishte faj, pasi që ajo veç i zbatonte rregulloren apo aktin intern të kompanisë së saj, saktësisht të KEK-ut, por e di, sa kam njohuri, se edhe në gjykatë kur vërtetohet trashëgimia apo ndërrimi i titullarit të pronës, nga babai tek i biri, nuk paguhet gjë, e merreni me mend në KEK ky parim nuk vlen. Po qoftë kjo edhe prej KEK-ut e tepërt është.

Në përfundim të kësaj qasjeje, mund të themi se në shoqërinë e tanishme shqiptare (kosovare), një qytetar apo konsumator i rregullt që i kryen me kohë obligimet dhe pagesat ndaj shërbimeve të ofruara, në vend se të shpërblehet me ndonjë certifikatë mirënjohjeje dhe të trajtohet si shembull i një qytetari “par exellence” për obligimet e kryera me kohë ndaj kompanive që ofrojnë shërbime të caktuara qytetarëve, ai shikohet, trajtohet si një qytetar i dyshimtë, mëkati i së cilit është sepse do të jetojë dhe veprojë konform standardeve njerëzore dhe qytetare, si një qenie njerëzore, fisnik dhe besnik ndaj shtetit të tij, dhe i cili me kohë i kryen obligimet e veta çfarëdo qofshin. Pasi që së shpejti KEK-u, gjegjësisht njësia e distribucionit do të privatizohet, a thua kjo anomali e KEK-ut që tani është, do të vazhdoj edhe pas saj, ditët, muajt dhe vitet në vijim do të vërtetojnë këtë më së miri.