Nga: Anthony Frajman / BBC (titulli: 'She was a beacon of light in a dark chapter in history': Ann Lee, the 1700s Christian leader who shocked America)
Përkthimi: Telegrafi.com

Sekti i krishterë i shekullit XVIII, i njohur si Shejkërs [Shakers], sot njihet më së shumti për kontributet e tij me ndikim në mobilieri, dizajn dhe arkitekturë. Ajo që dihet më pak është se sa shumë radikalë ishin ata. Përpara kohës së tyre, ata përqafuan barazinë gjinore, komunitarizmin, pacifizmin dhe vetëmjaftueshmërinë. Ata gjithashtu qenë pionierë të shërbimeve sociale në Amerikë, u ofruan strehë grave të abuzuara dhe çliruan afrikano-amerikanët e skllavëruar. Dhe, pastaj ishte këmbëngulja e tyre në beqari dhe në shfuqizimin e martesës.


Edhe sot, idealet e shejkerëve duken guximtare - dhe shumë prej tyre mund të gjurmohen te udhëheqësja e pazakontë e lëvizjes fetare, Ann Lee, e cila lindi në Britani. Ajo ishte një grua analfabete që u rrit në varfëri, dhe megjithatë arriti të bindte mijëra njerëz të ndiqnin mësimet e saj. Si ia doli?

Megjithëse nuk la pas asnjë shkrim, dëshmitë e ndjekësve të saj e përshkruajnë atë si një figurë jashtëzakonisht karizmatike dhe bindëse. “Të gjitha rrëfimet [për Leenë] flasin për këtë përkushtim të rreptë [ndaj kauzës së saj]”, thotë regjisorja Mona Fastvold.

Tani Fastvold është regjisore dhe bashkëskenariste e filmit Testamenti i En Lisë [The Testament of Ann Lee], ku rolin e Leesë e luan Amanda Seyfried. I përshkruar nga Fastvoldi si një “rrëfim spekulativ” i historisë së Leesë, filmi ndjek jetën e figurës karizmatike, nga fëmijëria e saj e varfër në Mançester të Anglisë, te udhëheqja e shejkerëve dhe sjellja e lëvizjes në Amerikë, e deri te vdekja e saj në moshën 48-vjeçare.

Idetë progresive të Leesë e intriguar Fastvoldin që nga fillimi. “Isha vërtet e magjepsur nga fakti se ekzistonte kjo grua me këto ide radikale dhe se kjo ishte pjesë e historisë amerikane”, i thotë Fastvoldi, BBC-së.

Amanda Seyfried në rolin e Leesë(Searchlight Pictures)

E lindur në vitin 1736 në Mançester, fëmija i dytë nga tetë femijë, Ann Lee nuk kishte arsim formal. Pas disa punëve, përfshirë një periudhë në një fabrikë tekstilesh, në moshën 22-vjeçare Lee iu bashkua një sekti anglez të quajtur Shoqëria Uordli [Wardley Society]. E quajtur “Kuakerët që dridhen” [Shaking Quakers] për shkak të vallëzimit dhe këndimit të tyre ekstatik gjatë adhurimit, grupi më vonë u bë i njohur si Shejkerët. Si grup protestant, shejkerët besonin se ardhja e dytë e Krishtit do të ishte në formë femërore dhe se Lee mishëronte këtë ardhje të dytë. Ata gjithashtu besonin se burrat dhe gratë ndanin të njëjtat përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj botës.

Në vitin 1762, Lee u martua me Abraham Standerinin, një farkëtar. Ata patën katër fëmijë, të cilët të gjithë vdiqën në foshnjëri. Pas vdekjes së fëmijës së saj të katërt, Lee u bë më aktive në Shoqërinë Uordli. Me rritjen e përfshirjes së saj, shejkerët u bënë më të zjarrtë dhe filluan të sulmonin shërbesat e kishave rivale. Lee besonte se njerëzit e Mançesterit po korruptoheshin nga Kisha e Anglisë dhe në një moment e quajti Kishën e Anglisë të mallkuar.

Në vitin 1770, Lee u burgos për 30 ditë në Mançester për ndërprerjen e një shërbese tjetër kishtare. Gjatë burgimit, Lee pati një parandjenjë se beqaria ishte çelësi i pastërtisë dhe do të bëhej gurthemeli i shejkerëve. Katër vjet më vonë, Lee pati një tjetër parandjenjë se duhej ta themelonte sektin në Amerikë. Më 10 maj të vitit 1774, Lee dhe një grup i vogël ndjekësish, përfshirë vëllanë e saj William Lee dhe bashkëshortin e saj, u nisën nga Liverpuli drejt Nju-Jorkut. Dy vjet më vonë, shejkerët themeluan një komunitet në Niskajuna pranë Olbanit.

Besime që thyenin normat

Kur Lee dhe mbështetësit e saj mbërritën në Amerikë, e cila ishte në prag të Luftës Revolucionare (1775-1783), qëndrimi i tyre i palëkundur pacifist ngjalli shpejt dyshime dhe polemika. Lee u akuzua se ishte spiune britanike dhe u burgos kur refuzoi të jepte betimin e besnikërisë ndaj shtetit të Nju-Jorkut. Duke pretenduar se një akt i tillë binte ndesh me bindjet e saj, Lee kaloi muaj të tërë në burg, derisa guvernatori George Clinton kërkoi lirimin e saj. Lee dhe shejkerët të tjerë u ngacmuan dhe u sulmuan gjithashtu nga turmat për shkak të bindjeve të tyre.

Lee vdiq në vitin 1784, 10 vjet pas mbërritjes në Amerikë. Disa besojnë se plagët që pësoi nga rrahjet kontribuuan në vdekjen e saj. Megjithatë, shumë kohë pas vdekjes së saj, ndikimi i “Nënë Enës”, siç e quanin ndjekësit, vazhdoi të rritej. Deri në vitin 1850, në ShBA ishin rreth pesë mijë shejkerë.

Vallëzimi ekstatik i shejkerëve(Alamy)

Një nga tiparet përcaktuese të Leesë ishte besimi i saj që thyente normat për barazinë gjinore dhe shoqërore. “Të gjithë shiheshin si vëllezër dhe motra për njëri-tjetrin”, thotë Elizabeth De Wolfe, profesoreshë e historisë në Universitetin e Anglisë së Re dhe autore e librit Dridhja e fesë: Gratë, familja dhe fushata anti-shejker e Mari Dajerit [Shaking the Faith: Women, Family, and Mary M Dyer’s Anti-Shaker Campaign].

“Rimendimi i strukturave familjare dhe shoqërore dhe krijimi i kësaj utopie ku ka një mënyrë krejtësisht të re të jetesës së përbashkët dhe bashkëjetesës ... [Lee] duhej të dilte me diçka drastike për ta ripërcaktuar këtë. Vëllai dhe motra janë të barabartë; burri dhe gruaja nuk janë”, thotë Fastvold. Megjithatë, në vitet pas udhëheqjes së Leesë, shejkerët ruajtën disa ndarje tradicionale gjinore. “Si brenda ashtu edhe ndërmjet komuniteteve të shejkerëve kishte një hierarki. Struktura e udhëheqjes dhe vendimmarrjes ishte hierarkike”, thotë De Wolfe.

Siç thekson Fastvold, Lee jetoi në një shoqëri patriarkale, ku trajtimi i neveritshëm i grave ishte i zakonshëm. “Natyrisht, të ishe grua në këtë periudhë të historisë ishte tmerrësisht keq”, thotë Fastvold. “Kështu ishte. Nuk kishe asnjë autonomi. Konsideroheshe pronë e burrit; pritej të lindje 10 fëmijë, 14 fëmijë. Stërgjyshja ime kishte 14 fëmijë. Në thelb, qëllimi yt ishte të lindje fëmijë”.

Beqaria dhe pacifizmi

Një nga rregullat më të diskutueshme të Leesë ishte këmbëngulja e saj e rreptë në beqari, pasi ajo besonte se seksi ishte rrënja e gjithë së keqes. Lee e adoptoi beqarinë “për të jetuar jetën e Krishtit”, thotë De Wolfe. “Meqë besohej se Krishti ishte beqar, edhe shejkerët ishin të tillë.” Është sugjeruar se kthesa e Leesë drejt beqarisë u nxit nga lindjet e saj traumatike dhe humbja tragjike e fëmijëve. “[Humbja e katër fëmijëve të saj] me siguri e rriti ndjenjën e saj personale se seksi nuk ishte akt i shenjtë që sillte paqe dhe gëzim, por një akt që sillte vuajtje dhe dhimbje”, thotë Kathryn Reklis, profesoreshë e teologjisë moderne protestante në Universitetin Fordam.

Regjisorja Mona Fastvold u frymëzua pjesërisht për ta bërë filmin pasi mësoi për idetë radikale të Ann Leesë(Searchlight Pictures)

Megjithatë, Fastvoldi beson se neveria e Leesë ndaj seksit pjesërisht e kishte origjinën në fëmijërinë e saj traumatike. Në një skenë të hershme, filmi i saj e paraqet Leenë duke parë prindërit e saj duke kryer marrëdhënie seksuale dhe duke u përballur me të atin. “Në [dëshmitë e shejkerëve] është përmendur se ajo kishte këtë neveri - që nga rinia e saj më e hershme - ndaj asaj që ata e quajnë ‘bashkëjetesë mishi’”, thotë Fastvold.

Një tjetër parim themelor i shejkerëve ishte pacifizmi, një parim jashtëzakonisht i diskutueshëm në Amerikë. “Ata ishin pacifistë kaq të përkushtuar; kjo ishte shumë e rëndësishme për ta”, thotë Fastvoldi. “Kur [ndaj shejkerëve] u ushtrua një presion për të marrë pjesë në Luftën Revolucionare, [Lee] tha: ‘Absolutisht jo. Ne nuk mund të dëmtojmë askënd’. Kjo ishte gjithashtu vërtet radikale në atë kohë”.

Dhe, disa historianë argumentojnë se bindjet radikale të Leesë nënkuptojnë se ajo ishte një përkrahëse e hershme e feminizmit. “Do të thosha se [Lee] ishte një nga [feministet] më të hershme”, thotë Fastvoldi. “Jam e sigurt se ka shumë të tjera për të cilat nuk dimë”.

Shumë kohë pas vdekjes së saj, ndikimi i “Nënë Enës” vazhdoi të rritej(Alamy)

Gjatë gjithë jetës së saj, Lee mbeti e përkushtuar ndaj parimeve të saj, pavarësisht se u sulmua, u rrah, u akuzua se ishte shtrigë dhe u burgos. “Ka shumë citate [të Leesë] ku ajo thotë: ‘Nuk më intereson nëse ma merrni jetën. Nuk ka rëndësi. Nuk do të bëj kurrë kompromis për asnjë nga këto’”, thotë Fastvold.

Ndërsa lëvizja e shejkerëve kishte mijëra ndjekës në kulmin e saj, sot në ShBA janë vetëm tre shejkerë. Shejkerja e tretë, një grua nga Meini, iu bashkua sektit në vitin 2025.

Megjithatë, Fastvoldi thotë se beson se Lee është ende thellësisht e rëndësishme sot. “[Shejkerët] ishin njerëzit e parë që ofruan shërbime sociale në Amerikë. Ishte një vend ku gratë e abuzuara ose të lënduara mund të kërkonin strehë. Ishte një vend ku kujdeseshin për fëmijët jetimë. Ishte një vend ku mund të sillje të moshuarit e tu për t’u kujdesur për ta. Ata ofruan të gjitha këto shërbime përpara se të ekzistonte një strukturë për këtë këtu”.

Fastvoldi shpreson që filmi të sjellë vëmendje mbi një figurë të harruar që luftoi për barazi. “Trashëgimia që ne e njihnim përpara se ta tregonim këtë histori është vërtet një plan”, thotë Fastvold. “Kjo është ajo që ne njohim në Amerikë dhe ndërkombëtarisht: plani Shejker. Por, trashëgimia e vërtetë [e Leesë] janë të gjitha këto ide rreth barazisë dhe komunitetit. Mendoj se [këto ide] flasin shumë për të tashmen.

“[Lee] ishte një fanar drite që ekzistoi në një kapitull të historisë amerikane që ishte mjaft i errët”. /Telegrafi/