Ankohen gjahtarët

Debati lidhur me këtë çështje është bërë të martën në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Federatën e Gjahtarëve të Kosovës, në një dëgjim publik lidhur me zbatimin e Ligjit për armët Nr. 03/L-143.
Kryetari i Shoqatës së Gjahtarëve, Rexhep Shkodra ka thënë se me këtë ligjin në fuqi gjahtarët e Kosovës kanë ardhur në një pozitë të pa lakmueshme, duke i obliguar edhe njëherë të i nënshtrohen testit teorik dhe praktik.
Ndërsa eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se çfarëdo kualifikimi para luftës apo më herët nuk mund të mohohet.
“Gjendjen momentalisht në terren e kemi kaotike, kemi qytetar të armatosur me armë si në luftë. Që ka ardhur në minimum t’ju them me shifra ku dreri 349 ka zbritur në 15 dreri, nuk po flas për Blinajë. Mandej atëherë më herët që janë mburr me specie, si rrëqebulli, pula e madhe, thuajse nuk janë më krejt fal asaj se Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ndërmarrin asgjë që këto kualifikime dhe këta gjahtar që sillen lirshëm me armë në terren, nuk i integrojnë në shoqata dhe në gjueti të caktuar në bazë të ligjit”, ka thënë Ibishi, ai shtoi se vijnë njerëz prej Shqipërisë dhe vrasin gjahun këtu dhe nuk ndërmerret asgjë ndaj tyre.
Ndërkaq, Xhavit Mustafa, anëtar i Shoqatës së Gjahtarëve, ka thënë se kjo është një monopol që po ndodh në Kosovë, ku të gjithë gjahtarët duhet të shkojnë të kryejnë shkollimin në “Katana”.
Për më tepër ai ka thënë se janë 39.500 gjuetarë, 10 mijë janë certifikuar para luftës dhe pas luftës deri në 2007, ndërsa tash vjen ligji dhe nuk pranohen këto diploma.
Ai gjithashtu është ankuar edhe në pagesën që duhet të bëjnë në shkollën “Katana”, që duhet të paguajnë prej 170 euro, certifikata 50 euro dhe shpenzimet e udhëtimeve.
Anëtari i Komisionit, Fatmir Xhelili ka përkrahur gjahtarët që një certifikatë që merret për me dëshmuar aftësinë për ruajtjen dhe përdorimin e armëve është plotësisht valide. Por, ai ka shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e këtyre diplomave nga gjahtarët dhe masat që ndërmerren ndaj tyre.
Por për të gjitha këto shqetësime zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka dhënë përgjigje, duke thënë se MPB-ja po e zbaton ligjin. Naim Shala nga kjo ministri ka thënë se MPB-ja edhe pse po ka vështirësi të shumta, po e zbaton ligjin në këtë fushë.
Ndryshe që nga paslufta e këndej numri i gjahtarëve është rritur dukshëm, ku sipas të dhënave të Shoqatës së gjahtarëve numri ka arritur në 39.500 gjahtarë, raporton Kosovapress./Telegrafi/





















































