LAJMI I FUNDIT:

Anarchia ante portas

E kishin pyetur një nënë nëse ajo brengosej pse djali i saj kishte humbur në bixhoz diçka nga pasuria. U ishte përgjigjur se nuk merakoset fort për këtë punë. Këta kishin shqyer sytë dhe ia kishin bërë me dije edhe një herë humbjen. Kjo u kishte thënë se nuk shqetësohej kur djali i saj humb në bixhoz, por lemeritej kur ai shkonte ta nxirrte, ta rifitonte pasurinë që kishte humbur.

Me këtë anekdotë, ia përshkrova shokut tim mendimin që kam për forcat e reja politike që janë paraqitur në skenën kosovare. Për “lazdranët” që po pretendojnë se janë më të mirë dhe do ta rifitojnë atë që është humbur nga klasa e “vjetër” politike. Për rebelët, që pretendojnë se krejt kjo bota e vjetër kosovare është bërë gabim dhe janë ata që do ta ndërtojnë nga fillimi. Krejt kjo tingëllon në rregull sikur mos ta kishim dëgjuar këtë edhe herë të tjera në histori dhe sikur mos t’i kishim parë produktet e këtyre lloj lëvizjeve.


Është e vërtetë, që me pak përjashtime, të cilat vetëm përforcojnë rregullën, klasa e “vjetër” ka luajtur bixhoz me fatin e këtij vendi dhe këtë askush me dy pare mend në krye nuk mund ta mohojë. Forcat politike të organizuara (të gjitha; mos të mendojnë se po e kursejmë ndonjë strukturë që është marrë me politikë që nga vitet 90 të shekullit të kaluar e deri tani, kur nuk e dimë më çfarë formacionesh janë), kanë luajtur bixhoz me Kosovën. Të paaftë, të paorganizuar, të plogësht, konformistë, injorantë politikë, egoistë, sharlatanë, intelektualë mediokër e komunistë senilë (le ta gjejnë veten dhe le t’i marrin me vete këto epitete secili nga ta), ja profilet që janë marrur me politikën kosovare në kapërcyellin e shekujve XX dhe XXI.

Duke menduar se vetëm partia e tyre ka të drejtë dhe vetëm ata janë patriotë, gjithmonë stigmatizuan tjetrin dhe hapën plagë që do të kullojnë qelb (gati thashë gjak) edhe shumë kohë. Duke qenë të bindur se historia fillon me ta dhe me klanin e tyre, ata janë përpjekur të fshehin primitivizmin me shfaqje false të madhështisë, që shprehte hapur mungesën totale të saj dhe spikaste xhuxhërinë që shihet nga larg.

Po kjo nuk është asgjë. Ne, njëmend, kemi humbur shumë. Po, prapë po themi, kjo nuk është humbja më e madhe. Nuk është fundi i botës. Me ndihmën e gjakut të trimave dhe (më shumë) të mijëra viktimave, miqtë tanë, që Kosova (përkundër sa thonë) i ka të bollshëm, na kanë ndihmuar të kalojmë nëpër disa etapa. Pa treguar kurrë asnjë rezultat dhe pa e arsyetuar kurrë ndihmën e dhënë, megjithatë, ata na kanë falur dhe na kanë shtyrë pak përpara – me hapin e breshkës, kur duhej ecur me hapin e aeroplanit supersonik.

Humbje më e madhe është paraqitja e forcave të reja, që pretendojnë se do ta kthejnë dinjitetin, se do ta ndërtojnë shtetin dhe do ta bëjnë jetën e kosovarit më të mirë. Nga anarkia që manifestojnë tani, thonë se do ta krijojnë shoqërinë e re, të bashkuar e të barabartë. Janë vasha e djem të shëndetshëm, të lëvizshëm, rebelë, të pakënaqur, të papërkulshëm. Ata janë studentë që lexojnë dhe janë plot erudicion. Janë elokuentë dhe shprehen qartë e drejtpërdrejt. Po të isha më i ri, zemra do të më shtynte t’u bashkangjitesha, por në moshë pak më të pjekur, truri refuzon çdo manifestim të një kohe që ka sjellë shumë mjerim para se të perëndonte.

Në ta shoh energjinë, vullnetin, mllefin, urrejtjen, rebelizmin që e kanë pasur komunistët e rinj (jam tmerrësisht i sigurt se Nexhmije Xhuglinit i ndrit fytyra kur sheh çupat anarkiste kah klithin për djemtë e “lëvizjes”). Në ta shoh enveristët e viteve 1944-45 në Shqipëri, si pretendojnë të ndreqin këtë botë të tmerrshme. Si do të vënë drejtësi në këtë botë të pamoralshme dhe do ta sjellin një rend të ri që do t’i ndriçon fytyrën (së pari) shqiptarit. Jemi dëshmitarë të asaj se çfarë produkti solli ajo lëvizje. Sa u ndriçua jeta dhe fytyra e shqiptarit pas triumfit të këtyre revolucionarëve, e dinë të gjithë ata që kanë mundësi të mendojnë me kokën e vet – jo me kokën e ideologut në krye. Sa për të shprehur mendimin tim: në proporcion me vendin, kohëzgjatjen dhe popullatën, në historinë botërore nuk ka pasur epokë më të zezë për qenien humane, se sa epoka orwelliane enveriste.

Djemtë dhe vashat e reja, apo nëse dëshirojnë t’i quajmë “shokët e shoqet”, mund të mos i dinë këto. Por disa të tjerë, që i indoktrinojnë të rinjtë në seminaret komuniste, e dinë këtë shumë mirë. Ata që krijojnë kultin e individit dhe pagabueshmërinë e tij, ata e dinë mirë këtë. Ata që klithin gjithmonë për të metat e grupeve tjera, pa treguar vizionin praktik, e dinë. Dhe nëse krejt kjo frymë e re është në rregull dhe fitimprurëse për kombin tonë, pse nuk po zgjerohet fusha e rekrutimit te intelektualët dhe shtresat që mendojnë me kokën e vet, por po zgjerohet në fushën e papërcaktuar të njerëzve të frustruar e të pashpresë.

Ju, kosovarët e mi të dashur, që jeni lodhur nga krimi, korrupcioni, nepotizmi, injoranca dhe plogështia e aksionit politik, mos gaboni të mendoni se në skenë po ofrohet diçka më e mirë! Të humbur, të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe të mllefosur sikur jeni nga të “vjetrit” (me plot arsye), ju jeni caku i ëndërruar për të “rinjtë”, ideologjia e të cilëve ështe e vjetër së paku 150 vjet. Në atë kohë është nxhizur ideologjia që i ka shkaktuar botës tmerret dhe plojat më të mëdha. Mos u besoni bakuninave të rinj, mos u besoni nexhmijave të reja! Ata dhe ato mund të mos kenë shumë faj tani, por do të na sjellin shumë tragjedi e mjerim nëse i lejojmë të na udhëheqin. Kemi mundësi të shohim përvojën monumentale që patën vëllezërit tanë matanë.

Mos të lejojmë që të krijojmë një shoqëri të ftohtë, pa energji pozitive. Mos të lejojmë të krijojmë shoqëri të vigjilencës së pakuptimtë, të zboreve të orës gjashtë të mëngjesit, të kibucave të mjerueshëm të dhive, të rendeve të qumështit me triska, të kooperativave ku punojnë në baltë ata që nuk mendojnë si ne. Një shoqëri që përbuz çdo gjë elitare, fisnike dhe aristokratike dhe krijon një barazi të tillë ku “blloku” bën shoping në Paris e Stokholm, ndërsa gjithë të tjerët, kanë uniforma kineze. Një shoqëri të zhveshur nga ndjenjat e ngrohta njerëzore, një shoqëri pa dashuri.

Që të sqarohem më mirë! Nuk po propozoj revolucion të ri. Po përpiqem që të shpëtojmë nga një i tillë që (mendoj unë) është te portat. Anarkizmi i manifestuar në disa raste është lajmëtari kryesor i tij. Në këtë kohë të krizës së thellë kombëtare, identitare, politike, ekonomike, sociale, intelektuale e sidomos morale, s’ka parti as lëvizje që na mbron nga kjo përmbysje. Është vetëm një rrugë: emancipimi i shpirtit të shqiptarit. Dhe kjo rrugë, në mes tjerash, nënkupton anashkalimin e njerëzve që pretendojnë se janë të “çështjes” dhe që na e thonë se profesioni i tyre është “patriot”. Përveç asaj se në botën reale nuk ekziston një profesion i tillë, ne tashmë kemi parë se ky “profil” prodhon tiranin e diktatorin e së nesërmes. A kemi nevojë edhe për një të tillë?!

Në trend

Më shumë
U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

Lajme
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Ndryshimi në skemën sociale, ministri Murati fton familjet në nevojë për aplikim

Ndryshimi në skemën sociale, ministri Murati fton familjet në nevojë për aplikim

Ekonomi
Infermierja zbulon se çfarë tingulli rrëqethës lëshojnë njerëzit 24 orë para vdekjes

Infermierja zbulon se çfarë tingulli rrëqethës lëshojnë njerëzit 24 orë para vdekjes

Amerika
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Sa para do të fitojnë Fury dhe Usyk nga përballja e sotme në Arabinë Saudite?

Boks
Kalo në kategori