Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Napoli blen përfundimisht Hojlund nga Manchester United

Napoli ka konfirmuar zyrtarisht transferimin përfundimtar të sulmuesit danez Rasmus Hojlund nga Manchester United, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet e marrëveshjes së huazimit me të drejtë blerjeje.

Klubi napolitan publikoi njoftimin zyrtar sot (e mërkurë), duke bërë të ditur se 23-vjeçari do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës në mënyrë të përhershme.

“Napoli njofton se janë përmbushur kushtet për blerjen përfundimtare të të drejtave sportive të Rasmus Hojlund nga Manchester United”, thuhet në deklaratën e klubit.

Napoli rikujtoi gjithashtu kontributin e sulmuesit danez gjatë sezonit të kaluar.

Hojlund shënoi gol në debutimin e tij më 13 shtator në fitoren 3-1 ndaj Fiorentinës në “Artemio Franchi” dhe e mbylli sezonin me 16 gola në 44 paraqitje në të gjitha garat.

Ai luajti një rol të rëndësishëm edhe në triumfin e Napolit në Superkupën e Italisë, duke realizuar në gjysmëfinalen e fituar ndaj Milanit.

“Urime, Rasmus!”, përfundon mesazhi i klubit.

Sipas marrëveshjes, Napoli kishte paguar 6 milionë euro për huazimin njëvjeçar të sulmuesit verën e kaluar, ndërsa tani do të jap edhe 44 milionë euro të tjera për ta bërë transferimin e tij përfundimtar.

Për Hojlund, ky është rikthimi i dytë i suksesshëm në Serie A. Para se të transferohej te Manchester United në vitin 2023, ai kishte luajtur një sezon me Atalantën, ku realizoi 10 gola në 34 ndeshje.

Gjatë periudhës së tij trevjeçare në “Old Trafford”, danezi regjistroi 26 gola në 95 paraqitje me fanellën e Manchester United.

Napoli siguroi aktivizimin e klauzolës së blerjes pas kualifikimit matematikor në Ligën e Kampionëve, një objektiv që u arrit para përfundimit të sezonit.

Klubi napolitan e mbylli sezonin 2025/26 në vendin e dytë në Serie A dhe fitoi Superkupën e Italisë, ndërsa në ditët në vijim pritet të zyrtarizojë emërimin e Massimiliano Allegrit në postin e trajnerit, pas largimit të Antonio Contes. /Telegrafi/