Zyrtare: Mirlind Daku, lojtar i ri i Spartak Moskës
Klubi i madh rus, Spartak Moska ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit shqiptar, Mirlind Daku, nga Rubin Kazani.
Zyrtarizimi i Dakut te klubi i ri ka ardhur më në fund.
Edhe përkundër shumë pakënaqësive nga ana e tifozëve të klubit, të cilët nuk e duan Dakun në ekip dhe kanë protestuar edhe me parulla dhe thirrje “anti-shqiptare”, Spartak Moska ka kompletuar transferimin e Dakut.
Është vet faqja zyrtare e klubit të madh rus qe sot (e enjte) ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit shqiptar nga Rubin Kazan.
“Mirlind Daku është sulmuesi i ri i Spartakut. Njëri nga sulmuesit më të fortë në Superligën e Rusisë ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin kuq e bardh”, thuhet në njoftimin e Spartakut.
Daku pritet të përfitojë një pagë prej 3.3 milionë eurove, si dhe të merr një bonus nënshkrimi në vlerën e 1.5 milionë eurove.
Ndryshe, Daku kaloi tre sezone te Rubin Kazan, duke shënuar të paktën 10 gola në secilin sezon, dhe u bë një nga sulmuesit më të mirë në ligën ruse. Ai pati 38 gola dhe 10 asistime në 89 ndeshje për klubin e Kazanit.
Te Spartak Moska, Daku do ta mbajë fanellën me numër 19. /Telegrafi/


