Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Ismael Saibari nënshkruan me Bayern Munich

Bayern Munich ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit Ismael Saibari nga PSV Eindhoven. Futbollisti 25-vjeçar, i cili aktualisht është i angazhuar me Marokun në Kupën e Botës 2026, do t'i bashkohet klubit bavarez pas përfundimit të turneut.

Saibari ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2031 dhe te Bayerni do të mbajë fanellën me numrin 34.

Anëtari i bordit për sport, Max Eberl, e cilësoi marokenin si një nga sulmuesit më interesantë të Botërorit, duke theksuar se transferimi ishte rezultat i një planifikimi afatgjatë. Ndërsa drejtori sportiv Christoph Freund vlerësoi cilësinë, fleksibilitetin dhe mentalitetin fitues të lojtarit.


Edhe vetë Saibari u shpreh i lumtur për hapin e madh në karrierë, pasi kompletoi transferimin nga kampioni holandez.

"Që fëmijë ëndërron të luash për një klub si Bayern Munich . Dua të fitoj sa më shumë trofe këtu. Bisedat me trajnerin Vincent Kompany luajtën një rol kyç në vendimin tim", tha ai.

I lindur në Terrassa të Spanjës, Saibari u zhvillua te akademia e Anderlechtit, ndërsa iu bashkua PSV-së në vitin 2020.

Me klubin holandez fitoi tre tituj kampionë radhazi, tre Superkupa dhe dy Kupa të Holandës, ndërsa këtë sezon u shpall edhe Futbollisti i Vitit në Holandë.


Me kombëtaren e Marokut, Saibari po zhvillon një Botëror të shkëlqyer, duke shënuar kundër Brazilit, Skocisë dhe Haitit, si dhe realizoi penalltinë vendimtare në eliminimin e Holandës. /Telegrafi/