Zubin Potok: Policia ndalon tri automjete të dyshuara për kontrabandë mallrash
Njësitë policore të Departamentit për Kufirin kanë ndërmarrë një aksion të suksesshëm në pjesën veriore të Kosovës, ku kanë ndaluar tri automjete transportuese të tipit furgon, të cilat po lëviznin në një rrugë ilegale në fshatin Junake të komunës së Zubin Potokut.
Sipas Policisë së Kosovës, ekziston dyshimi i bazuar se automjetet po përdoreshin për kontrabandë mallrash, përfshirë produkte ushqimore dhe pije.
Gjatë kontrollit të kryer në vendngjarje, është konstatuar se automjetet bartnin një sasi të konsiderueshme mallrash, kryesisht produkte ushqimore si mish, bulmet dhe produkte të tjera që transportoheshin në kushte të papërshtatshme higjienike, duke përbërë rrezik potencial për shëndetin publik. Përveç tyre, janë gjetur edhe pije alkoolike dhe produkte higjienike, që gjithashtu dyshohet se ishin pjesë e aktivitetit të kontrabandës.
Policia ka intervistuar një person të dyshuar në lidhje me rastin, ndërkohë që mallrat e konfiskuara janë dërguar në Doganën e Kosovës për procedura të mëtejshme.
Autoritetet theksojnë se mbikëqyrja e kufirit dhe luftimi i kontrabandës mbeten prioritete të larta të institucioneve të sigurisë në vend dhe njoftojnë se do të vijojnë me aksione të tilla në të gjitha zonat e ndjeshme, veçanërisht në veriun e Kosovës. /Telegrafi/


